Prefektët e 12 qarqeve deri të enjten duhet të organizojnë operacionet
Lorina Mixha
Prefektët e 12 qarqeve deri të enjten duhet të kenë bërë gati punën dhe të sigurojnë të gjitha informacionet e nevojshme për inspektimet e fundjavës, lidhur me ndotjen akustike.
Ministritë e ngarkuara për zbatimin e aktit normativ, miratuar javën e kaluar nga Këshilli i Ministrave, dje në një takim mes palëve kanë vendosur metodat e organizimit të aksioneve, ndarjen e kompetencave dhe se si do të bashkëpunojnë më konkretisht për minimizimin e zhurmave. Ashtu siç thanë ministrat e pranishëm në takim, Flamur Noka ministër i Brendshëm, Vangjel Tavo ministër i Shëndetësisë dhe Taulant Bino, zv/ministër i Mjedisit, këtë javë aksionet do të nisin kryesisht në zonat turistike. Të tre krerët e ministrive dje kanë nënshkruar udhëzuesin për monitorimin e zhurmave gjatë sezonit turistik.
Durrësi, Vlora, Lezha, Saranda, Kavaja, do të jenë në qendër të aksioneve. Nuk do të përjashtohet nga vëmendja Tirana. Sipas kreut të Inspektoratit Mjedisor ALfred Deshati, kontrollet do të jenë të vazhdueshme, nga e hëna në të premte. Prefekti do të ketë në zyrën e tij të gjithë informacionin e nevojshëm, më pas do të jetë ai “koka” e të gjitha kontrolleve dhe aksioneve për ndotjen akustike.
Puna
Ministritë e ngarkuara me aktin normativ për ngritjen e Task- Forcës, për marrjen e masave ndaj ndotjes akustike i kanë kërkuar drejtorive rajonale në rrethe, si edhe prefektëve evidentim të menjëhershëm të problemeve, sidomos në zonat turistike dhe bregdetare. “Prefektët si drejtues të Task-Forcës, të nisin urgjentisht nga puna për ngritjen e saj dhe vënien në zbatim të këtij akti normativ. Të merren masa konkrete për identifikimin e subjekteve në zonat turistike që gjenerojnë zhurma. Të ushtrohen kontrolle të vazhdueshme dhe të kërkohet zbatim rigoroz i kuadrit ligjor, si për oraret, ashtu edhe për nivelin e lejuar të zhurmave”, tha Flamur Noka, ministër i Brendshëm.
“Inspektime verifikuese, në rast të ankesave të komunitetit dhe në rast të konstatimit të shkeljeve, do të marrim vendimet dhe sanksionet administrative konform dispozitave ligjore në fuqi”, tha Vangjel Tavo, ministër i Shëndetësisë.
Ndarja e kompetencave
Sipas diskutimeve, në zbatim të aktit normativ, mjedisorët dhe Policia e Shtetit do të bëjnë evidentimin e zonave problematike nëpërmjet telefonatave të qytetarëve. Pavarësisht denoncimeve, kontrollet do të jenë periodike. Pas analizës së situatës, informacioni i nevojshëm dhe gjithçka që konsiderohet prioritet do t’i vendoset për shqyrtim Prefektit të Qarkut. Inspektorët mjedisorë, në kontrollet e përditshme, por edhe në fundjavë, do të kërkojnë ndihmën e Policisë së Shtetit në rast se evidentojnë rezistencë nga subjektet për të ulur zërin. Më pas Policia e Shtetit, me më shumë kompetenca, pas miratimit të aktit normativ, bën sekuestrimin e pajisjeve që krijojnë ndotje akustike. Mjedisorët e kanë të thjeshtë të bëjnë të zbatueshme në mënyrë të menjëhershme pezullimin e aktivitetit. Pas ndryshimeve, ata nuk kanë nevojë të plotësojnë dokumente për marrjen e vendimit të pezullimit. Orari që lejohet muzika e lartë në ditë jave është deri më 23:30, ndërkohë që në fundjavë volumi lejohet deri në orën 00:00.
Som
Ministri i Brendshëm dhe i Shëndetësisë kërkuan evidentimin e problematikave, sidomos në zonat turistike.
Mjedisorët
Do të bëjnë evidentimin e zonave problematike, do të mbledhin informacion, si dhe do të jenë parësor në kontrollet lidhur me ndotjen akustike
Shëndetësia
Inspektorët e Shëndetit Publik, të thërritur nga mjedisorët, bëjnë matjet për nivelin e zhurmës për subjektin që është në qendër të kontrollit
Policia
e shtetit do të ndërhyjë për të bërë sekuestrimin apo pezullimin e aktivitetit për çdo subjekt që rezulton se tejkalon normat e ndotjes akustike