Hysen Bibaj shfaqet i tronditur dhe i hutuar në ambientet e policisë, disa orë pas arrestimit. Duket i ngrysur në fytyrë pas aktit çnjerëzor


Fytyra e monstrës


Hysen BibaBabai monstër është izoluar në Policinë e Tiranës pas aktit çnjerëzor të së hënës, ku nga kati i katërt i maternitetit “Koço Glozheni” hodhi foshnjën e tij treditësh, duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. Në qelitë e paraburgimit, Hyseni shfaqet i tronditur dhe i hutuar, ndoshta për mungesën e ilaçeve të depresionit, të cilat i merrte herë pas here, por jo para ngjarjes. Në fotot e publikuara, Hyseni duket i ngrysur në fytyrë, ndoshta i penduar për krimin që ka bërë, duke i shkaktuar vdekjen një krijese të pafajshme, e cila kishte vetëm tri ditë që kishte ardhur në jetë. Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje ka mbajtur disa qëndrime, ku njëra prej tyre ka qenë pikërisht konflikti për atësinë e foshnjës, ku 29-vjeçari ka pretenduar se Luljeta mund të kishte në lidhje jashtëmartesore.


Ndërkohë, familjarët e tij kanë hedhur dyshime mbi atësinë e foshnjës, ndërsa kanë kërkuar kryerjen e ADN-së që do të përcaktojë atësinë e bebes. Përveç burrit të Luljetës, 29 vjeçarit që ende nuk dihet se sa i aftë është mendërisht, pasi ekspertiza mjekësore nuk ka dhënë përfundime, të trazuar dhe konfuzë janë edhe të afërmit e tij. Ata kanë shkuar në maternitet dhe i kanë thënë nënës së re për fëmijën “të të rrojë” e pas ngjarjes tragjike, vdekjes së djalit 3-ditësh kërkojnë ekspertizë, analizat e ADN-së për të vërtetuar nëse fëmija që lindi dhe vdiq pas 72 orës ishte i Hysenit apo jo. Familjarët e agresorit nuk do ta marrin nusen në shtëpi pa marrë në dorë analizat e ADN-së. Nëse këto ekzaminime do të pohojnë se fëmija ishte i Hysenit, atëherë nusja do të kthehet në shtëpi, në rast se foshnja e vdekur do të rezultojë fryt i një marrëdhënie jashtëmartesore atëherë nusja e re, nëna e një fëmije dy vjeç, nuk mund të kthehet në familjen e burrit.


Deri dje në spitalin obstetrikë-gjinekologjik kërkesa e familjarëve ka qenë verbale, por ata janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund e të plotësojnë të gjithë dokumentacion e procedurat për ta bërë zyrtare dhe ligjore kërkesën e tyre, për kryerjen e analizave të ADN-së, me qëllim kryesor vërtetim të atësisë së bebes që jetoi vetëm 72 orë. S.Ç/L.M


 


Kërkesa


Familjarët e agresorit nuk do të marrin nusen në shtëpi pa marrë në dorë analizat e ADN-së


 


Mjekët:


Hyseni i solli ushqimin Luljetës, më pas qetësisht hodhi foshnjën


Lorina Mixha


Depresionin pas lindjes mjekësia e njeh dhe parashikohet të ndodhë te nëna nga tre muaj deri në një vit pas lindjes. Por ngjarja e dy ditëve më parë në maternitetin e Tiranës, fton ekspertët e neurologjisë dhe shkencën të studiojë rast të paprecedentë depresionin e 29-vjeçarit Hysen Bibaj.


 


Ngjarja


Punonjësit e informacionit në spitalin universitar “Koço Glozheni” e kanë parë babanë e ri të hynte në maternitet për t’i çuar bashkëshortes ushqim. Ai ka parkuar makinën brenda qendrës, në një vend të papërshtatshëm, kryesisht në atë zonë ku mbërrijnë automjetet me urgjenca. Më pas është futur në spital duke shpjeguar se po i çon ushqimin bashkëshortes. Sipas personelit mjekësor që ka qenë i pranishëm, babai 29-vjeçar ka qenë i qetë, dhe nuk ka shfaqur shenja nervozizmi. Ka mbërritur në dhomën numër 5, atje ku mbahej e shtruar nëna e re 25-vjeçare dhe i ka kërkuar të shoqes të mbajë në dorë fëmijën. Ajo që të gjithë personelit shëndetësor i ka bërë përshtypje lidhet me mungesën e nervozizmit dhe qetësia me të cilën 29-vjeçari ka marrë beben 3-ditësh dhe e ka hedhur nga kati i katërt. Më pas ai është larguar nga dhoma dhe bashkëshortja e tij, vajza 25-vjeçare e ka ndjekur burrin e saj nëpër shkallë. Hyseni ka zbritur të katërt katet më pas ka marrë makinën dhe është larguar. Kanë qenë punonjësit e sigurisë së spitalit ata që i kanë mbajtur shënim targën dhe i kanë raportuar policisë. Menjëherë pas hedhjes së foshnjës nga kati i katërt, në tarracën e qendrës së gruas mjekët kanë vrapuar për t’i dhënë të porsalindurit ndihmën e parë. “Foshnja kishte pësuar shumë dëmtime, hemorragji të brendshme, por rrahjet e zemrës së tij ishin terminale. Ka jetuar 20 minuta, pasi ka rënë nga kati i katërt”, rrëfejnë mjekët.


 


Situata


Vajza ka kërkuar të ndiqet nga një mjeke gjinekologe, femër, për të qenë më e qetë, për shkak se burri ishte xheloz. Shtatzënia e saj ka ecur pa probleme, ndërkohë që foshnja ka lindur me operacion. Peshonte, 4.1 kilogramë dhe gëzonte shëndet të plotë bashkë me nënën e tij. Nuk kishte asnjë defekt në lindje apo problem shëndetësor. Aktualisht, nëna që humbi krijesën e saj vetëm 72 orë pas lindjes ndodhet në gjendje të rëndë psiko-emocionale. Ajo është e shtruar në pavijonin e terapisë intensive, ndërsa mjekët po e mbajnë me qetësues dhe antistresantë. Foshnja që humbi jetën ishte fëmija i dytë i saj. Çifti Bibaj ka edhe një fëmijë tjetër dy vjeç.


“Gruaja po mbahet me qetësues dhe antistresantë, për të qenë vetë ajo e qetë, sepse mund të pritet një gjendje psikoze dhe nga ana e nënës. Personeli mjekësor i shërben 24 orë gruas. Ajo ka biseduar me psikologen, por ende nuk është në gjendje shumë të kthjellët”, tha Rubena Moisiu, drejtoresha e maternitetit.


Sipas saj, kjo ngjarje ka shqetësuar të gjithë personelin mjekësor. “Një histori e tillë ndodh për herë të parë në historinë e materniteteve”, tregon Moisiu.


Ndërkohë që në dhomën numër 5 ka pasur edhe dy lehona të tjera. Ato kanë ndërruar dhomën një ditë pas ngjarjes, të trembura dhe të shokuara nga ngjarja që kanë parë me sy.


Përveç vështirësive si nëna të reja, plagëve të lindjes apo shqetësimeve të tjera ato do të ruajnë në memorien e tyre edhe një ngjarje tronditëse si ajo e datës 30 korrik. Një i porsalindur 4.1 kilogramë që hidhet nga kati i katërt, spitali i mbushur nga efektivë policie dhe një nënë që humb fëmijën pasi e mban 9 muaj, është ëndrra më e keqe që mund të shohësh, pasi sjell në jetë fëmijën.