Dyshohet për hakmarrje. 71-vjeçari, babai i dy vëllezërve që vranë një 9-vjeçar në muajin qershor, u ekzekutuar disa ditë më parë në Tiranë
Vetëm disa ditë pas ekzekutimit në Tiranë të 71-vjeçarit Mark Shkreta, një shpërthim i fuqishëm ka tronditur në mesnatë banesën e familjes së tij në qytetin e Mamurrasit. Shpërthim ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, fatmirësisht pa pasoja në jetë njerëzish.
Ende nuk ka konfirmime nëse anëtarët e familjes Shkreta ndodheshin në banesë në momentin e shpërthimit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie dhe zjarrfikëse. Uniformat blu thanë se kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
71-vjeçari Mark Shkreta u ekzekutua disa ditë më parë me armë zjarri në rrugën “Hoxha Tahsim” në kryeqytet. Ai ishte babai i Oligert dhe Maringlen Shkretës, dy vëllezërve të arrestuar nga policia për vrasjen e 9-vjeçarit E. Llani dhe plagosjen e xhaxhait të tij Muharrem Llanit, në 5 qershor në Mamurras. I dyshuari kryesor për vrasjen e Shkretës është babai i 9-vjeçarit që mbeti i vrarë, Jetmir Llani i cili është shpallur në kërkim nga policia.
1 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)