Shtohet numri i viktimave mes civilëve. Televizioni shtetëror: “dhjetëra terroristë dhe mercenarë janë dorëzuar ose vrarë”


Kofi Annan ka dhënë dorëheqjen nga detyra i dërguar i OKB dhe i Ligës Arabe për Sirinë. Detyra kryesore e misionin të tij ishte të vendoste në këtë shtet armëpushimin, por plani i tij prej 6 pikash i nuk u zbatua asnjëherë. Pavarësisht përpjekjeve të tij të shumta, në qytetet siriane vijuan luftimet mes forcave qeveritare dhe kryengritësve.


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, nëpërmjet një njoftimi për shtyp bëri të ditur se Annan nuk ka për qëllim të rinovojë mandatin e tij, i cili skadon më 31 të këtij muaji. Annan kishte tërhequr vërejtjen në muajin qershor se plani i tij gjashtëpikësh për ndaljen e dhunës në Siri, nuk po implementohej dhe për këtë e kishte fajësuar kryesisht qeverinë e Presidentiti sirian, Bashar al-Asad.


Në kumtesën e tij, Ban Ki-moon tha se qeveria dhe forcat opozitare “vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre duke u mbështetur në rritjen e dhunës”.


Ai tha se po vazhdojnë konsultimet me Ligën Arabe për “nominimin e shpejtë të pasardhësit” të Annanit.


Ndërkohë të paktën 43 civilë u vranë në një sulm të forcave qeveritare në  Jdaidet Artouz, rreth njëzet kilometra në jug-perëndim të qendrës së Damaskut. Organizata vëzhguese e të drejtave të njeriut në Siri tha se forcat e regjimit hynë në qarkun jug-perëndimor, Jdaidet Artouz, dhe arrestuan 100 të rinj për ti torturuar më pas në ambientet e një shkolle.  Banorët thanë se para largimit nga qyteti forcat qeveritare lanë pas një numër të madh trupash të pajetë në rrugët dhe shtëpitë e qytetit. Televizioni shtetëror, ndërkaq, njoftoi se “dhjetëra terroristë dhe mercenarë janë dorëzuar ose vrarë në Jdaidet Artouz”.  27 civilë të tjerë janë zbuluar të pajetë në Jalda bëjnë të ditur burime nga vendngjarja.


2 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)