Spahiu: Shqipëria nuk është për t’u shitur, Berisha e Samaras të mos tentojnë ta prekin


BLEDAR HOTI


Atë që nuk e bën dot shteti shqiptar, ka vendosur ta realizojë Aleanca Kuq e Zi, duke i kujtuar Greqisë se kufiri detar me Shqipërinë është jo sipas paktit antikombëtar të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Aleanca Kuq e Zi reagoi ashpër ndaj marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë e cila po rinegociohet në mënyrë meskine nën urdhrin e Kryeministrit Sali Berisha, i cili sipas kësaj partie është marrë peng nga politika helene. Gjatë ditës së djeshme, Aleanca Kuq e Zi dhe aktivistët e saj kanë qenë në qytetin e Sarandës prej të cilit me mjete lundruese janë nisur drejt vijës kufitare detare me shtetin e Greqisë dhe kanë vendosur shirita të kuq në vijën kufitare ekzistuese me shtetin grek për të kundërshtuar ndryshimin e kufijve nga mafia bardhë e blu e dy vendeve. Nën sloganin “Shqipëria nuk është për t’u shitur”, Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar nga autoritetet e shtetit shqiptarë dhe atij grek që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për marrëveshjen mafioze të hartuar fillimisht mbi baza interesash elektorale të Sali Berishës dhe tani e rinegociuar nën rrogozin e politikës dhe diplomacisë së dështuar dhe gjunjëzuar të qeverisë shqiptare.


Një grup të rinjsh të Aleancës Kuq e Zi kanë lundruar me një anije peshkimi drejt kufirit territorial me Greqinë. Akti simbolik sipas përfaqësuesve të AK është reagimi i parë ndaj marrëveshjes së kufirit detar me fqinjët. Dhjetëra aktivistë të Aleancës Kuq e Zi dhe turistë të shumtë me mjete detare kanë mbështetur nismën për të mbrojtur integritetin territorial të tokës së tyre e cila po cenohet, cungohet dhe tregohet si të ishte pronë private e dy kryeministrave, Sali Berisha dhe Antonio Samaras. Protestuesit që mbanin flamuj shqiptarë të ndihmuar nga 2 motorë uji kanë shtrirë në det në mënyrë simbolike vijën kufitare me Greqinë. “Shqipëria nuk është për t’u shitur, dhe Berisha e Samaras të mos tentojnë të prekin kufirin shqiptar, pasi ne do të mbrojmë më çdo kusht kufirin e Shqipërisë deri në flijim”, ka deklaruar kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. Ai ishte i pranishëm në vijëzimin e kufirit aktual detar me Greqinë. “Për Aleancën Kuq e Zi, popullin shqiptar dhe shtetin e shqiptarëve, spostimi mafioz dhe meskin i kufirit detar është tradhti kombëtare që nuk do të tolerohet për asnjë arsye, e mbi të gjitha në 100-vjetorin e pavarësisë së vendit tonë”, tha ndër të tjera Spahiu. Nisma e Aleancës Kuq e Zi për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë është i misioni i patjetërsueshëm dhe për këtë, kjo lëvizje patriotike ka marrë mbështetjen masive të qytetarëve shqiptarë nga të gjitha trevat e tyre dhe emigracioni. “Aleanca Kuq e Zi vjen këtu në kanalin e Korfuzit për të vendosur kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë në mbështetje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të RSH. Aleanca Kuq e Zi deklaron se ky është kufiri ndarës në mbështetje të standardeve të së drejtës ndërkombëtare, ky është kufiri që na e kanë lënë të parët tanë, ky është kufiri ku drejtësia shqiptare ka vendosur ndarjen mes dy shteteve”, deklaroi Spahiu.