Sipas Kmgh, mendimi i doktoreshës Fenton u injorua nga Komisioni i sigurisë


Masakra e Denverit mund të ishte parandaluar nëse komisioni studentor i Universitetit të Kolorados, ku James Holmes studionte, do të kishte marrë parasysh mendimin e doktoreshë Lynne Fenton. Psikiatria që kuronte James Holmes kishte paralajmëruar komisionin e sigurisë, për rrezikun që paraqiste pacienti i saj, që mund të bëhej kërcënim për të tjerët. Lajmi është bërë publik nga televizioni lokal Kmgh. Doktoresha Fenton kishte shprehur shqetësimin e saj për 24-vjeçarin Holmes, në ekipin e “Behavioral Evaluation and Threat Assessment”, grupi i ekspertëve që ka për qëllim vlerësimin e kërcënimeve të mundshme për sigurinë e kampusit. Por universitetit nuk ka marrë asnjë lloj mase kujdesi përballë studentit, që 10 qershorin e kaluar braktisi papritur doktoraturën në shkenca neurologjike, pak ditë pas dështimit në një provim. Të njëjtën ditë që humbi testin, Holmes bleu një pushkë.


Sipas Kmgh, universiteti nuk ka lajmuar as policinë e Aurora për tu komunikuar shqetësimet e ngritura nga doktoreshë Fenton. Publikimi i këtij lajmi ka ardhur pak ditë pas zbardhjes së historisë së zarfit që Holmes i kishte dërguar universitetit, por që mbeti në kutinë e postës deri pas masakrës. Holmes i kishte dërguar psikiatres së tij një bllok shënimesh ku kishte paraqitur të gjitha vizatimet e sulmit që kishte ndërmend të realizonte. Por avokatët e të riut, ndaj të cilit rëndojnë akuzat e vrasjes së 12 personave dhe plagosjes së 58 të tjerëve, pretendojnë se blloku i shënimeve duhet të mbetet diskret, sepse mbrohet nga sekreti profesional i mjekëve.


3 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)