Pranohet interesimi për fushën e energjisë
Liberman: Uroj që t’i zgjidhni problemet politike që keni. Berisha: Të rrëzohet Assad, Ahmadinaxhad kërcënim jo vetëm për Izraelin
Nën masa të rrepta sigurie është zhvilluar vizita e zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Avigdor Liberman. Eskorta të shumta të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, por edhe forca të sigurisë izraelite kanë shoqëruar zyrtarin e lartë të Izraelit. Kjo u vërejt edhe gjatë pritjes së bërë nga ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, ku truprojat personale të Liberman, të armatosur, u futën duke kontrolluar ambientet, deri në paradhomën e kryediplomatit. Kjo krijoi një situatë jo të këndshme. Pas ngjarjeve tragjike në Bullgari, mësohet se janë shtuar masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë të Izraelit. Qëllimi i vizitës së numrit dy të qeverisë izraelite ishte hapja e ambasadës në Tiranë. Ajo do të ketë selinë në “Aba Center” pranë Pallatit të Kongreseve. Kjo do të jetë një ambasadë e posaçme për rajonin e Ballkanit, ku do të mbulojë edhe Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kosovën. Hapja e një ambasade të tillë është vlerësuar maksimalisht nga zyrtari i lartë i Izraelit, pasi bëhet fjalë për një vend që ka një popullsi me shumicë myslimane. “Personalisht për mua, Shqipëria është më shumë se një destinacion strategjik. Si fëmijë i rritur në ish-Bashkimin Sovjetik, e mbaj mend Shqipërinë nga media sovjetike dhe sigurisht të gjitha historitë për Enver Hoxhën dhe Ismail Kadarenë dhe të qenët këtu sot, është diçka mjaft e rëndësishme dhe thelbësore të shoh sesi situata dhe realiteti ka ndryshuar nga ajo që ne dinim atëherë 20-25 vjet më parë. Nëse dikush do të më thoshte atëherë kur isha student në Bashkimin Sovjetik, se një ditë do të bëhesha ministër i Jashtëm i Izraelit dhe do të vija në Shqipëri për të inauguruar hapjen e ambasadës izraelite në Tiranë, nuk do ta besoja kurrë”, tha pas takimit me Panaritin, Liberman. Duke iu përgjigjur pyetjes rreth situatës politike në vendin tonë, Liberman theksoi: “Uroj sinqerisht të zgjidhni problemet tuaja në mënyrën më të mirë të mundshme. Sepse edhe vendi im është në një gjendje delikate si në aspektin ndërkombëtar dhe në aspektet e brendshme. Shpresoj për gjithë popujt e rajonit të zgjidhin problemet në mënyrë paqësore”. Ndërsa kryediplomati shqiptar, Panariti, në lidhje me çështjen e Kosovës u shpreh se “padyshim që progres ka ndodhur, pasaportat e Kosovës tashmë njihen nga shteti i Izraelit. Kjo është sinjifikative dhe një tregues shumë i rëndësishëm, një vlerësim mjaft objektiv i situatës rajonale”. Liberman ka zhvilluar edhe një takim me Kryeministrin Sali Berisha. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, duke folur për zhvillimet në Rajonin e Lindjes së Mesme, u shpreh shqetësimi i përbashkët për aktet brutale të dhunës së regjimit të Al Assad dhe bindja se populli sirian duhet mbështetur në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund kësaj dhune. Gjithashtu, në takim u shpreh shqetësimi jo vetëm për politikën nukleare të Iranit, por edhe për qëndrimet kërcënuese të Iranit që krijojnë shqetësim e paqëndrueshmëri në rajon. Kryeministri Berisha u shpreh se ambicia e Iranit për të zhvilluar programin e tij bërthamor përbën një kërcënim jo vetëm për Izraelin, por edhe paqen e stabilitetin në botë. B.HOTI