Shkaqet


Xhudistja kthehet në shtëpi: “Në Rio 2016 do të luftoj për medalje”


Majlinda Kelmendi ka zbarkuar në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës dhe menjëherë më pas ka fajësuar presionin e madh mbi shpatulla për humbjen zhgënjyese që pësoi në Lojërat Olimpike Londër 2012. Xhudistja e talentuar kosovare, e shoqëruar nga trajneri i saj, Driton Kuka, dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, janë kthyer kështu nga Londra, ku përfaqësuan Shqipërinë, në lojërat e 30 olimpike. Në momentin që zbritën nga avioni, në pritje të saj kishte dalë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi. Krasniqi deklaroi se pavarësisht rezultatit të arritur, ai do të vazhdojë ta përkrahë krenarinë e kombit shqiptar. “Suksesi i Majlindës është sukses i gjithë sportit të Kosovës, sepse siç e kam thënë, fytyra e Majlindës është fytyra e sportit të Kosovës. Prandaj do të vazhdojmë të jemi bashkërisht edhe në sfidat e radhës dhe padyshim që përkrahja që i kemi dhënë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Majlinda ka vazhduar dhe po vazhdon që me sukseset dhe talentin e saj të jetë një lobuese e pazëvendësueshme për sportin e Kosovës, për ndërkombëtarizimin e tij”, ka deklaruar Krasniqi, i cili ndër të tjera ka nënvizuar edhe se mediat më të rëndësishme botërore kanë vazhduar të shkruajnë për Majlindën, për sfidën e saj, për problemet që ka pasur në përfaqësimin e Kosovës. Ndërkaq, xhudistja Majlinda Kelmendi, nga e cila pritnin të gjithë shqiptarët medaljen e parë për flamurin kuqezi, tha se është e vetëdijshme se rezultati i marrë nga Lojërat e Londrës nuk është ai i prituri. “Ndoshta nuk ka qenë dita ime me fat, pasi nuk ka ndodhur asnjëherë që të humb nga një garuese që nuk është në nivelin tim, mirëpo e kam thënë edhe më herët, ka qenë ditë pa fat dhe përqendrimi ishte i pamjaftueshëm. Vetë prezenca në Lojërat Olimpike është ngarkesë psikike, sidomos kur është hera e parë dhe kur e di që prej teje presin dy shtete. Përkrahja ka qenë e madhe edhe në Shqipëri, ku Kryeministri Berisha më ka thënë se jam personi që presim medalje dhe krejt shqiptarët besojnë te ty”, ka thënë ajo. Trajneri i Majlindës, Driton Kuka, ka thënë se gabime të tilla çfarë i ngjau Majlindës ndodhin edhe te sportistët më të mëdhenj. Ai tha se kanë arritur dy nga tri qëllimet e tyre, si arritja e normës olimpike dhe debutimi me fitore. Ai tha se “kemi shpresë që në vitin 2016 në Rio të arrijë edhe suksesin e të, prekjen e medaljes”.