“Uilliam Hill” e jep xhamajkianin favorit dhe Blejk pranë tij
Nuk do të ketë asnjë tjetër përveç dy njerëzve nga Xhamajka. Në garën e shpejtësisë maksimale humane në “Londër 2012” parashikimet janë që fitues do të jetë ose Usain Bolt, ose Johan Blejk. Në 100 metrat e atletikës, nuk bëhet fjalë as për patriotin e tyre, Asafa Pauell dhe as për amerikanin Tajson Gej, njeriun e dytë më të shpejtë në histori. Mos harroni që jemi në Londër dhe britanikët e kanë vënien bast si sport kombëtar. Ndaj kanë shumë rëndësi parashikimet e kompanive të basteve. “Uilliam Hill”, një nga më të mëdhatë dhe të respektuarat e botës, e jep gjithsesi Boltin si favorit për të fituar 100m, por tani Blejk është shumë pranë tij. Që 4 vjet më parë dhe madje që nga janari, gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm dhe Blejk ka fituar kuota për shkak të triumfit në kampionatin botëror, por edhe të problemeve fizike të kampionit olimpik dhe të rekordmenit botëror. Një punonjës i zyrës së shtypit në “Uilliam Hill”, Xho Krilli, thotë se “Usain Bolt mbetet favorit, që kur fitoi në Pekin, madje që 4 vjet më parë viheshin baste për fitoren e tij në Londër”.