Mazhoranca dhe opozita vijuan dje debatin për kufizimin e imunitetit, në një kohë kur nesër seanca plenare do të heqë çdo dilemë në lidhje me këtë çështje. Kryeministri Berisha, duke shfrytëzuar një vizitë në jug të vendit deklaroi nga Vlora se mazhoranca ishte e vendosur për të votuar imunitetin nesër në Parlament. Berisha deklaroi se nuk do të pranonte një paketë ndryshimesh për drejtësinë siç pretendonte opozita dhe se vendi nuk do të udhëhiqej nga pakica parlamentare. Ai gjithashtu deklaroi se nisur nga këto qëndrime në vitin 2013, mazhoranca


do t’i jepte opozitës nga pikëpamja elektorale “një leksion më të fortë se ai i vitit 2011”. Më herët, zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli e quajti vulgarë sulmin që Edi Rama i bëri deklaratës së përfaqësuesit të të djathtës europiane, Luca Volonte për çështjen e imunitetit. Nga ana tjetër, dy përfaqësues të PS-së, deputetët Blendi Klosi dhe Pandeli Majko i bënë thirrje PD-së për të pranuar ofertën e tyre, ku së bashku me imunitetin të diskutoheshin dhe miratoheshin disa reforma të rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Në një intervistë për “Top Channel”, Majko foli dhe për negociata të momentit të fundit, të cilat do të bënin që PD të tërhiqej nga nisma e njëanshme e kufizimit të imunitetit.


PD


Nisur nga disa kritika që kreu i PS-së, Edi Rama, bëri publikisht Kryetarit të grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane në Këshillin e Europës, Luca Volonte, zëdhënësja e Kryeministrit  Erla Mëhilli paraditen e djeshme nuk ngurroi ta konsideronte këtë sulm vulgar. Në një konferencë për mediat, Mëhilli në emër të Berishës deklaroi se ishte jo e udhës që Rama të fyente një personalitet të lartë të djathtës europiane, vetëm për faktin se ai kishte paralajmëruar se mos-heqja e imunitetit do të dëmtonte aspiratën e Shqipërisë për statusin. Po kështu, Mëhilli deklaroi se ky sulm erdhi për shkak se Volonte nxori në pah standardet e dyfishta që Rama po përdor në lidhje me këtë çështje. “Rama ndërmori sulmin e tij vulgar ndaj këtij miku të shqiptarëve, pra z. Volonte, vetëm dhe vetëm, se ai dje i rikujtoi atij, por dhe të gjithë shqiptarëve se në bisedën e tij të fundit në selinë e Partisë Socialiste, Rama kishte denoncuar qeverinë se nuk pranonte ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit për ministrat dhe zyrtarët e tjerë. Kjo pasi kishte frikë nga hetimet për korrupsion. Ndërsa tani që qeveria kishte pranuar ndryshimin e Kushtetutës dhe të gjitha propozimet e tjera për heqjen e korrupsionit ishte vetë ai, që nuk pranonte shembjen e murit të korrupsionit”, deklaroi Mëhilli, duke theksuar gjithashtu se Rama ishte i kryetari i vetëm i opozitës në botë, që mbronte mazhorancën me imunitet.


PS


Përfaqësuesi kryesor i PS-së për çështjen e imunitetit, Pandeli Majko, foli dje për negociata të momentit të fundit që sipas tij do t’u mundësonin dy forcave kryesore të gjenin konsensus për ndryshime më të thella të Kushtetutës në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Sipas Majkos, PD nuk duhet të ecë e vetme në seancën e nesërme parlamentare, sepse ky do të ishte një precedent shumë negativ në aspiratën e vendit për të marrë këtë tetor statusin e kandidatit. “Mendoj se cilido që edhe nga kolegët e mi të mazhorancës që më dëgjon, e di qe e drejta për t’u dëgjuar është e drejta e një opozitë në kushtet minimale të përfaqësimit të saj, në një shtet monopartiak, siç është ky i sotmi. Ne po kërkojmë që kjo që kemi ofruar, si propozime shtesë për ndryshimet kushtetuese, që nuk është një shpikje, nuk janë as kushte të panegociueshme”, deklaroi Majko, duke theksuar se duhet të dëgjohej në këtë proces dhe zëri i konstitucionalistëve dhe qytetarëve. Ai u shpreh se kjo mund të çonte dhe në një referendum për sa u përket imuniteteve dhe reformave në drejtësi. Po dje, sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, deklaroi se PS kërkonte vetëm zgjerimin e reformave antikorrupsion dhe se nuk ishte kundër heqjes së imuniteteve.


Edi Rama


“Sharjet e shpifjet e përditshme të Saliut s’na bëjnë asnjë përshtypje. Nuk ka konsensus më 6 gusht pa diskutuar gjithë propozimet tona”!


 


Aleatët e PD kritikojnë socialistët: Mos bllokoni integrimin


Në krahë të Partisë Demokratike për të amenduar Kushtetutën në 6 gusht për çështjen e imunitetit kanë dalë dhe aleatët në qeverisje të kësaj partie. Dje, përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Aleancës Demokristiane i kanë kërkuar PS-së që të mos mbajë peng integrimin e vendit, por të votojë pro heqjes së imunitetit. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, në një deklaratë për mediat theksoi se për hatër të integrimit, PS duhet të votonte në seancën e ditës së hënë heqjen e imunitetit për deputetët, zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët. “Duhet të lëmë mënjanë qëndrimet bllokuese të fokusohemi te detyra, që është vota pro heqjes së imunitetit. Data 6 gusht nuk është referencë force e egoizmi e udhëhequr nga interesa partiake. Në duhet të demonstrojmë vullnet real. Në këtë datë socialistët nuk duhet të bllokojnë, duhet të kontribuojnë për t’iu përgjigjur interesave europiane të shqiptarëve”, deklaroi Luan Rama në emër të LSI-së. Nga ana tjetër, nënkryetari i Partisë Aleanca Demokristiane, Eduard Abazi, i bëri thirrje socialistëve të mos penalizonin shqiptarët nga marrja e statusit, duke mos votuar më 6 gusht për heqjen e imunitetit.


Sondazhi online


Lexuesit e “Shqip”: Imuniteti të hiqet tërësisht


Qytetarët shqiptarë janë të mendimit se imuniteti i deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë duhet të hiqet në mënyrë tërësore, duke mos gëzuar asnjë privilegj nga pozicioni që mbajnë. Kjo e dhënë del nga një sondazh i gazetës “Shqip” bërë në faqen e saj të internetit. Përpara lexuesve online të gazetës janë shtruar tre pohime, në lidhje me mënyrën sesi duhet të kufizohet imuniteti. Nga 990 lexues që kanë marrë pjesë deri tani në këtë sondazh, 648 prej tyre ose 65 për qind janë të mendimit se deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në vend imuniteti duhet t’ju hiqet në mënyrë tërësore dhe të menjëhershme. Nga ana tjetër 264 lexues ose 27 për qind kanë mbështetur pohimin se zyrtarët e lartë duhet të kenë imunitet ndaj arrestimit, por jo ndaj procesit të hetimit. Një numër i vogël prej 78 lexuesish ose 8 për qind e tyre që kanë marrë pjesë në këtë sondazh i qëndrojnë pohimit se imuniteti i zyrtarëve të lartë nuk duhet të hiqet. Aktualisht, në vend çështja e imunitetit është vendosur në qendër të diskutimeve politike dhe për faktin se barazimi i zyrtarëve me qytetarët e thjeshtë përpara drejtësi është një kërkesë e Brukselit zyrtar në kuadër të kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.