Brenda 8 muajve nga ratifikimi në Kuvend, austriakët duhet të hapin lojën
Tashmë që kompania austriake është shpallur fituese për menaxhimin e licencës së Lotarisë Kombëtare për një afat prej 10 vjetësh, Ministrisë së Financave nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të negociojë me të termat e referencës për kontratën. Gjasat janë që brenda muajit shtator, Ministria dhe “Austrian Lotteries” të lidhin kontratë në muajin shtator, për t’i hapur rrugë ratifikimit në kuvend dhe më pas organizimit të lojës. Sipas afateve të vendosura në vendimin e qeverisë për kriteret në tender, loja e parë e Lotarisë Kombëtare duhet të luhet jo më vonë se brenda tetë muajve, pasi Kuvendi të ketë ratifikuar kontratën. Në rast se miratimi dhe plani ecën sipas parashikimeve, pa probleme dhe pengesa ligjore, atëherë ka shumë mundësi që goglat e lotarisë të hidhen para zgjedhjeve të fushatës së madhe të 2013-s.
Ratifikimi në Kuvend
Licenca e Lotarisë Kombëtare pritet t’i nënshtrohet një tjetër beteje, tashmë në Parlament. Sakaq, debatet janë ndezur mes forcave politike, ku nuk kanë munguar akuzat e forta deri në pastrim parash dhe ryshfete. Kështu, në një njërën nga pikat e vendimit mbi kriteret e tenderit thuhet se, brenda 5 ditëve nga momenti kur banka ka konfirmuar pagesën prej 500 milionë lekësh, Ministria e Financave përcjell praktikën për miratim në Kuvend. Në vendim thuhet se licenca për Lotarinë Kombëtare do të jepet për një afat 10-vjeçar nga dita e organizimit të lojës së parë.
Para se të mbërrijë në Kuvend, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, përgatit raportin përfundimtar të vlerësimit dhe njoftoi renditjen më datë 23 korrik, ku austriakët ishin të parët. Aplikuesit kanë të drejtën e ankimit për këtë vendim, brenda 30 ditëve nga data e shpalljes, tek Titullari i Autoritetit, i cili merr vendim brenda 30 ditëve nga paraqitja e kësaj ankese, por faktet tregojnë se rruga është e lirë vetëm për “Austrian Lotteries”
Loja e parë
Me afatet e vendosura, ka shumë gjasa që goglat e para të Lotarisë Kombëtare të hidhen para zgjedhjeve të fushatës elektorale 2013, që zhvillohen kryesisht në fillim të verës.
“Loja e parë e Lotarisë Kombëtare duhet të organizohet jo më vonë se tetë muaj nga miratimi i licencës nga Kuvendi i Shqipërisë”, thuhet në vendimin e qeverisë. Duke marrë afatin më të mundshëm të miratimit, në tetor nga Kuvendi i licencës, koha prej tetë muajsh skadon në qershor, periudhë kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Kompania fituese, në rastin konkret, austriakët, duhet të bëjnë kujdes me fushatën e marketingut gjatë fazës përgatitore të nisjes së Lotarisë Kombëtare. Kompania nuk duhet të reklamojë direkt te grupet e cenueshme (minorenët apo kategori të caktuara). Kompania duhet të adoptojë një ‘kod reklamimi dhe marketingu’ që të garantojë se aktivitetet e reklamimit dhe promovimit të shitjeve nuk nxisin të mitur ose kategorinë e atyre me probleme në luajtje dhe që nuk i japin lojtarit informacione keqorientuese.
Tenderi i përfolur
Në janar të vitit 2012, qeveria miraton vendimin për kriteret e tenderit të hapur ndërkombëtar për dhënien e licencës së vetme kombëtare të lotarisë, për nja afat prej 10 vjetësh. Çmimi i vendosur për shitjen e licencës, afro 3.5 milionë euro dhe kriteret kualifikuese për shumë kompani, duke cenuar konkurrencën, shkaktuan debat të fortë mes opozitës dhe qeverisë. Fillimisht skandali se licenca e lotarisë ishte e paracaktuar u publikua në media, ku nismëtare ishte letra e një prej ankuesve në tender.
Sakaq, Partia Socialiste do të mbledhë firmat për ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor, në lidhje me procedurën e tenderit, të realizuar nga qeveria shqiptare për licencën e vetme të Lotarisë Kombëtare. Sipas burimeve pranë PS-së, mësohet se gjatë këtyre ditëve do të kërkohet që deputetët e opozitës të mbledhin firmat për krijimin e komisionit të posaçëm hetimor.
Brenda 5 ditëve nga pagesa prej 500 milionë lekësh, Bode e përcjell kontratën për miratim në Kuvend
Ankesa, Letra e Ramës për austriakët
Pak ditë më parë, kryesocialisti, Edi Rama, i ka shkruar një letër Shkëlqesisë së tij, kancelarit austriak, Werner Faymann, për t’i shprehur shqetësimin me atë që e ka cilësuar skandalin e Lotarisë Kombëtare. Lideri i opozitës, po ashtu, në letrën dërguar Kancelarit të Austrisë e informon se PS-ja do i bëjë thirrje “Austrian Lotteries” që të tërhiqet nga ky proces, i cili nuk është transparent, i cili shkon kundër interesave të shtetit shqiptar dhe publikut shqiptar, si edhe të të gjitha rregullave e standardeve nën të cilat e njëjta kompani vepron në Austri.