Agresori është futur në shtëpinë e viktimës në orën 01:00 të datës një gusht. Analizat konfirmojnë përdhunimin


Elbasan – Policia e Elbasanit ka arrestuar 42-vjeçarin Pëllumb Ahmati, banues në fshatin Probat të Elbasanit. Arrestimi i tij është bërë pasi Ahmati ka përdhunuar nusen e djalit të xhaxhait të tij, 29-vjeçaren Marsilda Ahmati. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e datës një gusht, kur 42-vjeçari ka shkuar në banesën e Marsildës rreth orës 01:00 të mëngjesit, me pretendimin se kishte nevojë për diçka. “Marsilda jetonte me prindërit e bashkëshortit, pasi ky i fundit punonte si emigrant në Greqi për t’i mbijetuar varfërisë. Çifti kishte edhe një fëmijë të vogël dhe nuk kishin shumë kohë të martuar së bashku, kur papritur jeta e tyre u trondit. Natën e krimit, 29-vjeçarja ka qenë e vetme në shtëpi, pasi vjehrri dhe vjehrra kishin shkuar te të afërmit e tyre. Kjo gjë është pikasur nga Pëllumbi, i cili në orën 01:00 të mëngjesit ka trokitur në derën e saj, duke i thënë se kishte nevojë për ndihmë. Marsilda i është përgjigjur thirrjes së tij, pasi nuk e ka pritur diçka të tillë. Pas hapjes së portës, agresori ka mbyllur derën dhe me forcë e ka përdhunuar në shtëpi. Ndonëse ajo ka bërtitur dhe ka kërkuar ndihmë, askush nuk i ka dëgjuar ulërimat, pasi shtëpitë e fshatit janë mjaft larg nga njëra-tjetra. Pas përfundimit të aktit seksual, përdhunuesi e ka kërcënuar se do ta vriste, nëse ajo do të tregonte për këtë veprim kriminal në polici apo te të afërmit”, ka cituar një burim i brendshëm.


Pasi Ahmati është larguar, 29-vjeçarja ka njoftuar prindërit e saj për agresionin. Menjëherë ata e kanë denoncuar krimin pranë policisë së Elbasanit. Këta të fundit e kanë shoqëruar Pëllumbin në polici, por ai nuk e ka pranuar paraprakisht përdhunimin, duke thënë se është thjesht një shpifje. Pas deklaratës së tij, nusja e shtëpisë u është nënshtruar analizave mjekoligjore, duke dalë në konkluzionin se mbi Marsildën është kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. Pas daljes së analizës, agresori e ka pranuar krimin, i cili pritet që të dalë përpara organeve të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit.


Sipas burimeve, Pëllumb Ahmati prej vitesh jetonte në Greqi me dokumente të rregullta së bashku me familjen e tij. Ai ishte kthyer në atdhe për të takuar të afërmit, ndërkohë që bashkëshortja dhe katër fëmijët ndodhen në shtetin fqinj. Sipas policisë lokale të Elbasanit, ai nuk ka qenë asnjëherë person me precedent penal. Shtëpia e viktimës me atë të përdhunuesit ishin të afërta. Mësohet se gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Marsilda ishte provokuar në mënyrë të vazhdueshme nga Pëllumbi, por kjo e fundit asnjëherë nuk u ishte përgjigjur flirteve të tij, ndonëse për Pëllumbin, ajo ishte kthyer në një qëllim. Materialet i janë dorëzuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për veprime të mëtejshme.