Shqipëria dhe Mali i Zi nënshkruan dje marrëveshjen e re të bashkëpunimit në hekurudhë, përfshi ndërtimin e një stacioni të përbashkët, në Tuz të Malit të Zi. Marrëveshja e firmosur në Podgoricë mes ministrave respektivë të Transporteve, Sokol Olldashi dhe Andrija Lompar, detajon procedurat që do të ndiqen në transportin hekurudhor mes dy vendeve. Olldashi e konsideroi këtë marrëveshje mjaft të rëndësishme për Shqipërinë, duke pasur parasysh se e vetmja lidhje ndërkombëtare e Hekurudhës Shqiptare është ajo përmes Malit të Zi. Përmes vendit fqinj, në itinerarin Elbasan-Durrës-Bajzë-Tuz, Hekurudha Shqiptare kryen një volum shkëmbimesh prej rreth 300 mijë ton, sasi kjo që e bën aksin hekurudhor Vorë-Bajzë, më rentabël nga pikëpamja ekonomike.
Në takimin e tyre, ministrat Olldashi dhe Lompar kanë diskutuar edhe idenë e ngritjes së një grupi të përbashkët, me përfaqësues nga institucione të ndryshme prej Shqipërisë dhe Malit të Zi, për adresimin e problemeve të Liqenit të Shkodrës dhe thellimit të mundshëm të shtratit të lumit Buna dhe të liqenit në itinerarin ujor Shkodër-Virpazar.
Të dy palët kanë rënë dakord të përshpejtojnë ritmet e punimeve në asket rrugore Hot-Tamarë-Vermosh brenda territorit shqiptar dhe Plavë-kufi në territorin malazez, duke i dhënë kësaj rruge një karakter ndërshtetëror, pasi pritet që në përfundim ajo të jetë aksi më i shkurtër për të lidhur zonat e Plavës dhe të Gucisë, përmes territorit shqiptar, me Podgoricën.