Ndërsa në afërsi të Fushë-Krujës, një fuoristradë përplas makinën e policisë


Viktima nga Kosova, Ali Ndrecaj, u përplas me një autobus, por nuk pati të lënduar të tjerë


Silvana Muça / Sulejman Dida


Çdo ditë e më së shumti, në fundjavë, kur Shqipëria pret edhe më shumë turistë, aksidentet po shkaktojnë viktima të njëpasnjëshme. Edhe dje, vendi është përballur me bilanc tragjik nga këto ngjarje të rënda, kur një person ka mbetur i vdekur, ndërsa tetë të tjerë janë plagosur. Aksidentet kanë ndodhur në Elbasan dhe në Kukës, ndërkohë që në afërsi të Fushë-Krujës, një fuoristradë ka goditur makinën e policisë, por pa pasoja të rënda.


Elbasan-Peqin


Sipas të dhënave nga Policia e Elbasanit, tetë të plagosur, ku tre prej tyre paraqiten në gjendje të rëndë, është bilanci i një aksidenti të ndodhur mesditën e së dielës në aksin nacional Elbasan-Peqin. Ngjarja e rëndë, më të cilën janë përfshirë në aksident tri mjete, ka ndodhur në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Gjocajve”, ku mjeti tip “Reno” me targa të huaja CH 277 GV, me drejtues Eduart Çullhaji, i cili udhëtonte me familjen e tij, është përplasur me mjetin tip “Benz” me targa shqiptare EL 1410 C, me drejtues Agron Hysën, kryetari i Komunës Mollas në Elbasan, ku edhe ky i fundit udhëtonte me familjen e tij prej 4 anëtarësh. Më pas mjeti tip “Reno” është përplasur edhe me një mjet të tretë tip kamionçinë, e parkuar në anë të rrugës, me targa AA 052 SX dhe me drejtues Sabri Gretën. Sipas burimeve të Policisë lokale të Elbasanit, pesë prej të plagosurve janë dërguar në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit dhe tre të tjerë në Spitalin e Peqinit. Identitetet e personave që janë përfshirë në aksident janë Agron Hysa, Flutura Hysa, Elton dhe Xhenis Hysa (djemtë e çiftit Hysa). Fatmirësisht këta persona janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, situata paraqitet më serioze për familjen Çullhaji, ku tre pjesëtarët e kësaj familjeje janë në sallë të operacionit. Emrat e të aksidentuarve janë drejtuesi i mjetit “Reno” me targa të huaja Eduart Çullhaji 36 vjeç, bashkëshortja e tij, Rudina Çullhaji 29 vjeç, dhe dy të miturit Sofia dhe Anxhelo Çullhaji, përkatësisht 3 dhe 5 vjeç. Bashkëshortja dhe fëmijët e familjes Çullhaji ndodhen në sallë të operacionit. Ata kanë qenë duke shkuar në Gjocaj të Peqinit për të takuar të afërmit e 29-vjeçares, të cilët sapo kanë ardhur nga Italia për pushime. Ndërkaq menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor për të dokumentuar ngjarjen. Deri më tani nuk ka një konkluzion të saktë për shkaqet e aksidentit. Gjithsesi po punohet intensivisht për t’i dhënë dritë një aksidenti që përfshiu në të tetë persona.


Kukës-Tiranë


Një aksident tjetër, i ndodhur në autostradën drejt Kukësit, i ka marrë jetën një 44-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, në urën e Rexhepajve, ku viktima mësohet se është shtetasi Ali Ndrecaj nga Suhareka e Kosovës, i cili ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip fuoristradë me targa të huaja në drejtimin Prishtinë-Tiranë, ndërsa është përplasur me një autobus turistësh kosovarë që shkonte në drejtim të Morinit. Sipas burimeve zyrtare të policisë rrugore, bëhet e ditur se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara. Policia tha se veç 44-vjeçarit, nuk ka persona të tjerë të lënduar, por ka pasur panik në mesin e pasagjerëve të autobusit. Pak ditë më parë, në këtë segment të autostradës ndodhën një numër aksidentesh, ku humbën jetën 4 persona.


Ndërsa një aksident tjetër ndodhi në aksin rrugor Rinas – Fushë-Krujë. Një fuoristradë ka përplasur një makinë policie, por nga të dhënat mësohet se nuk ka pasur të dëmtuar. Aksidenti ka ndodhur pranë rrethrrotullimit, para hyrjes së superstradës për në Lezhë, ku ishte ngritur një postbllok policie. Fuoristrada i ka rënë mjetit të policisë, në anë të rrugës, duke e dëmtuar shumë, por nuk dihen motivet. Sipas të dhënave paraprake, mjeti “Mercedes Benz” ka pasur defekt në sistemin e frenimit, megjithëse vazhdojnë hetimet për këtë ngjarje.