Ndërsa pritet nisja e seancës plenare të Kuvendit, për votimin e draftit të ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, Partia Socialiste ka mbledhur rreth orës 09:15 grupin parlamentar. Ashtu siç pritej, mbledhja zgjati vetëm pak minuta dhe u vendos që  deputetët socialistë do të jenë në sallën e Parlamentit, por do t’i qëndrojnë vendimit për të mos e votuar sot draftin, për të cilin është rënë dakord me PD-në. Mësohet se në fillim të seancës do të diskutojnë përfaqësuesit e PS-së, Gramoz Ruçi ose Pandeli Majko, i cili është edhe negociatori i PS-së me PD-në gjatë diskutimit për heqjen e imunitetit. Diskutime do të ketë edhe nga shumë deputetë të tjerë. Opozita kërkon më shumë kohë dhe që këto ndryshime të votohen bashkarisht me fillimin e sesionit të ri parlamentar në muajin shtator. Maxhoranca këmbëngul se pjesë e këtyre ndryshimeve duhen bërë vetëm pikat në të cilën në Kushtetutë të parashikohet heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë.


6 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)