Intervista


Shtëpinë e saj e ka të madhe diku në qendër të Romës. Ndodhet aty që nga koha kur ishte studente e filozofisë në vitin 1972. Që në atë kohë ka qenë shumë e bukur, e vendosur, ambicioze dhe plot energji. Kanë kaluar nga ajo kohë 40 vjet dhe ajo vazhdon që të flejë në të njëjtën dhomë gjumi si dikur në vitet e universitetit. Thotë se është shumë konservatore dhe nuk i pëlqen që t’i ndajë gjërat që i kanë pëlqyer dikur. Shtëpia e saj është e stilit të vjetër dhe jo e arreduar në mënyrë moderne. Nuk është shumë komode dhe madje në disa raste dhe e pakëndshme, por është vendi të cilin ajo nuk do të donte që ta ndërronte për asnjë arsye tjetër në botë. Sipas saj, e tillë është pak a shumë edhe dashuria, pra e pakëndshme, por e domosdoshme, e aftë që të bëjë të vuash, por edhe për të të dhënë kënaqësi që asnjë ndjenjë tjetër nuk është në gjendje që të t’i japë.


 


Çfarë është dashuria për ju?


Dashuria është gjëja më natyrale në këtë botë dhe më e jashtëzakonshmja. Është dhe më cerebralja. Në fakt e njeh sapo të hyn në tru, në mendimin tënd dhe hyn për të qëndruar aty gjatë, ndoshta deri në fund. Ju kujtohet Dante? Sipas tij, dashuria ta rigjeneron arsyen. Ja përse duhet që të bëjmë dashuri. Të vetmet momente kur ne rreshtim së menduari dhe jemi në një gjendje të pakrahasueshme janë ato gjatë të cilave ndodhemi në krahët e njeriut që duam, dashurojmë. Bëhet fjalë për një pushim dhe një paqe të madhe dhe në aspektin fizik. Të humbasësh në trupin e njeriut që dashuron, do të thotë të harrosh të gjitha veçoritë fizike, të bukura, apo të shëmtuara qofshin.


 


A mendoni ndërkohë se në këtë jetën tonë moderne është abuzuar shumë me seksin dhe ndjenjën përmes pornografisë dhe nuditetit të tepruar dhe të pakëndshëm që gjendet kudo në art dhe muzikë?


Mendoj që pornografia është një biznes kryesisht mashkullor, ndaj jo të gjithë kanë abuzuar.


 


Ju vetë jeni konservatore?


Më pëlqen ideja e barazisë dhe në dashuri jemi të gjithë më në fund të barabartë. Edhe të varfrit, edhe të pasurit. Të dashuruarit janë të gjithë të ngjashëm me njëri-tjetrin. A nuk është i mrekullueshëm një fakt i tillë? Dhe për më tepër, dashuria prodhon miqësi. Për shembull kush ka dashuri të palumtur gjen gjithmonë dikë që ia dëgjon hallin me vëmendje. Me dashurinë hyn në një zonë të përbashkët që gjeneron barazi. Kjo është demokracia e vërtetë. Ndryshon vetëm mënyra e përfaqësimit. Jo të gjithë kanë të njëjtat aftësi gjuhësore shprehëse për të treguar apo përshkruar dashurinë. Ata që nuk kanë mundësi i janë shumë mirënjohës atyre që e bëjnë për ta një gjë të tillë. Gjysma e poezive të mia është një kërkim për atributet e kësaj ndjenje hyjnore e demokratike, kësaj ndjenje që na pasuron në një mënyrë unike dhe të përjetshme.


 


Ju thoni se poezia vjen, ikën e vdes kur do ajo dhe nuk ka pasardhës. Pak a shumë si vetë jeta, apo si dashuria. Është e vërtetë?


Po, është pikërisht kështu. Ose të paktën kështu duket. Por dashuritë, në dallim nga të dashuruarit, nuk janë të gjitha të barabarta. Këtë gjë e di mirë Stendali. Ka disa lloj dashurish, për të cilët jemi të predispozuar, siç ndodh për shembull për disa sëmundje. Janë më të dhimbshme dhe shërohen më me vështirësi. Unë personalisht do të pëlqeja vetëm dashuritë e dhuruara, sepse i merr apo të vijnë pa ndonjë meritë të caktuar dhe kur i humb nuk e ke ndjenjën e fajit.


 


Ju a keni dashuruar shumë?


Shumë, nëse njësia matëse është koha, dhimbja, energjia e konsumuar apo që kam marrë në këmbim, kënaqësia apo çdo gjë tjetër e paprekshme. Por tani nuk jam e dashuruar dhe kur dashuria nuk është ose ka mbaruar, të duket vetja sikur je në Alaskë në kërkim për të gjetur rrugën për në Afrikë. Jashtë asaj temperature mbetet vetëm një kujtim abstrakt, një dijeni e tejkaluar.


 


A keni dashuruar ndonjëherë ndonjë burrë?


I dua shumë miqtë e mi. Kur kam qenë adoleshente kam pasur edhe të fejuar, të dashur dhe më pëlqente shumë përafria fizike me ta, përkëdhelitë, puthjet, por nuk më jepnin ndonjë emocion të jashtëzakonshëm, ndonjë drithërimë nga e cila nuk mund të hiqja dot dorë. Me pak fjalë nuk arrita që të bija realisht në dashuri. Pastaj të them të drejtën çdo imazh i një familjeje të ardhme më alarmonte dhe nuk arrija që ta shihja veten në atë peizazh. Mendoja që me t’u martuar do të merrnin fund edhe përkëdhelitë e ëmbla, edhe të puthurat e zjarrta, edhe pasioni djegës, pra gjithçka do të shuhej. Dhe këtë e mendoj edhe sot e gjithë ditën. Bashkëjetesa shkatërron çdo lloj tërheqjeje erotike, personale, sensuale, megjithatë mbetet afeksioni, por sa për seksin ai shndërrohet në një gjë rutinë dhe shumë i sigurt e i qartë. Në këtë qartësi nuk është e nevojshme që të bësh dashuri.


 


Si e zbuluat më pas që ishit e dhënë pas femrave?


Nuk ishte aspak një zbulim, por një vendim i nevojshëm për krenarinë time. Mund të them se ishte dhe një lloj komforti për mua. Megjithatë rreth meje shihja shumë pak persona që të më inkurajonin për një zgjedhje të tillë. Nuk doja kurrë në fakt që t’u ngjaja atyre shoqeve të miat që nuk e gjenin veten aspak përkrah të dashurve të tyre. Nuk mendoja as t’i bija shumë gjatë çështjes, por të “dilja në temë”. Me meshkujt duhet të jesh në garë, ndërsa me femrat nuk kam qenë kurrë në garë, i doja me shumë pasion duke u braktisur pas tyre përmes besimit se kjo që po bëja ishte gjëja më e mirë, por pa shumë pasion. Janë në fakt dashuri jo shumë të përcaktuara dhe nuk gjenden kollaj, e aq më shumë nuk kuptohen, shihen gjithmonë me dyshim dhe ndaj mendova që më mirë t’i përshtatesha rregullit.


 


Si mund të dashurojë një grua, një grua tjetër?


Burri, gruaja, lulja, fruti nuk ka dallim. Luftohet dhe më pas tërhiqet. Tërhiqesh për pak kohë dhe rinis sërish luftën derisa më në fund nga një luftë në tjetrën vjen lodhja dhe pastaj shkohet me pushime. Mes dy grave nuk është kështu.


 


Si do ta përmblidhnit me pak fjalë kënaqësinë?


Qetësinë, detin e boshatisur, ushqimin, verën e mirë me miq. Qoftë edhe për tre minuta.


 


A keni dashur ndonjëherë një fëmijë?


Jo, dhe nuk e kam menduar kurrë një gjë të tillë. Nuk e kam këtë instinkt natyral. Kam bërë gjithçka për të kundërshtuar natyrën dhe duke qenë se herët a vonë do të jetë ajo fitimtarja, të paktën deri sa të jem gjallë nuk dua që t’i bindem. Mbase jam e çmendur, por vazhdoj që të ndihem fëmijë dhe një fëmijë tjetër këtë herë nga unë do të më ishte rival. Më pëlqejnë disa fëmijë, ata nordikë, që janë seriozë dhe të qetë me mamatë që i puthin në buzë për t’i qetësuar.


 


Cila është marrëdhënia juaj me fjalët?


Kam për fjalët një dashuri fanatike dhe supersticioze, ndonjëherë që përbëhet nga shumë admirim, respekt dhe besim. Le të themi se i marr shumë seriozisht.


 


Cila është, sipas jush, pengesa më e madhe ndaj dashurisë?


Kurnacëria.


 


A mund të jetohet pa dashuri?


Sipas vlerësimeve thuhet se “po”. Megjithatë nëse dashuria nuk shfaqet, do të ketë arsyet e saj. E vërteta është se nuk duhet të dëshirosh diçka që nuk është.