Gruaja e Bashës përfiton 10,808 euro leje lindjeje, Tabakut ia paguajnë këstet e kredisë prindërit


Lulzim Basha nuk ka deklaruar të ardhura të tjera përpos atyre të marra si Kryebashkiak, pra, rezulton se nuk ka marrë rrogë në kohën kur qe deputet


Lulzim BashaDeklarimi i Pasurive është bërë një procedurë formale, që prodhon lajme mediatike e në disa raste edhe debate publike, por deri sot nuk ia ka dalë të luftojë korrupsionin


Drejtuesit e rinj të Bashkisë së Tiranës deklarojnë të ardhura minimale dhe pak para të thata në deklaratat e tyre të pasurisë për vitin 2011.


Ndryshe nga deklaratat e mëparshme spektakolare të shit-blerjeve të pronave të patundshme në Shqipëri e Holandë, si dhe të një unaze me vlerë 20 mijë euro, Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka plotësuar në mënyrë të thatë të ardhurat e veta nga paga prej 734 mijë lekë të rinj, si dhe të ardhurat e bashkëshortes nga leja e lindjes prej 10,808 eurosh. Gratë shqiptare, kur lindin, përfitojnë një shumë falas prej 5 mijë lekësh nga Bashkia e Tiranës, shumë që, në disa raste, është paguar me vonesë. Por bashkëshortja e Bashës është nënshtetase holandeze.


Lulzim Basha nuk ka deklaruar të ardhura të tjera përpos atyre të marra si Kryebashkiak, pra, rezulton se nuk ka marrë rrogë në kohën kur qe deputet.


Tendenca është e përgjithshme për të gjitha deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë. Shumë prej tyre, për vitin 2011, raportojnë vetëm të ardhurat formale nga punët e shtetit.


Deklarimi për vitin 2011 e pati futur në telashe mediatike Bashën, pasi rezultonte se kishte shlyer kredi para se të shiste një pronë, etj. Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive pati deklaruar në atë kohë se deklarata e Bashës qe e saktë. Këto probleme duket se e kanë shtyrë të mjaftohet këtë vit me një deklaratë të thatë. Në deklaratën e këtij viti, Basha është mjaftuar me të ardhurat, por nuk ka plotësuar formularët për gjendjen e llogarive bankare apo ndonjë shit-blerje nga pronat e veta të shumta.


Ndërkohë Petrit Vasili ka deklaruar të ardhurat e tij nga paga në Ministrinë e Shëndetësisë prej 1.7 milionë lekësh të rinj, si dhe shpërblime nga posti i kryetarit të Bordit të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor prej 117 mijë lekësh. Vasili deklaron se disponon vetëm 350 mijë lekë, të cilat i mban kesh në shtëpi dhe nuk i depoziton në bankë. Edhe Vasili ka deklaruar të ardhura si funksionar i ministrisë së Shëndetësisë, por jo si nënkryetar i Bashkisë.


Nënkryetarja tjetër të bashkisë, Jorida Tabaku, deklaron 1.2 milionë lekë të ardhura si ish-zëvendësministre e Integrimit dhe 483 mijë lekë të ardhura si nënkryetare e Bashkisë. Por këto të ardhura të pakta nuk e kanë penguar të marrë një kredi të majme për shtëpi prej 130 mijë eurosh, këstet e së cilës deklaron se ia paguajnë në shumicë prindërit.


“10 nga 13 këstet e kredisë janë mbuluar nga prindërit e mi,” deklaron Tabaku. Gjendja e llogarive të saj bankare është e varfër. Ajo ka vetëm 60 mijë lekë, 52 stërlina, 12.86 dollarë amerikanë dhe 5,335 euro.


Megjithëse me të ardhura modeste, krerët e Bashkisë kanë nën menaxhim dhjetëramilionë euro buxhet çdo vit, si dhe një numër të madh pronash.


E nisur në vitin 2004, si një përpjekje për të mbajtur, së paku, transparente pasuritë e krijuara nga zyrtarët e shtetit, Deklarimi i Pasurive është bërë një procedurë formale, që prodhon lajme mediatike e në disa raste edhe debate publike, por deri sot nuk ia ka dalë të luftojë korrupsionin. Përkundrazi, me kalimin e viteve, deklarimi i pasurive është bërë një formalitet dhe asnjë zyrtari nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Zyrtarët kanë për detyrë të deklarojnë pasuritë dhe origjinën e tyre në çastin që e marrin një post, si dhe ndryshimin e gjendjes çdo vit gjatë kohës së qëndrimit në poste zyrtare, si dhe disa vite pas largimit nga postet. Inspektorati teorikisht duhet të kontrollojë këto deklarata dhe të denoncojë rastet kur rezulton se pasuritë e krijuara kanë burim të dyshimtë. Por në praktikë, asgjë e tillë nuk ndodh. I vetmi “problem” që i krijohet zyrtarëve nga ky proces është zhurma mediatike që shoqëron publikimin e deklaratave.


 


Deklaratat


Lulzim Xhelal Basha


Funksion: Kryetar i Bashkisë së Tiranës


Të ardhura neto nga paga: 734,162 lekë


Të ardhura nga paga e bashkëshortes e lejes së lindjes: 10,808 euro


Të ardhura si deputet: Nuk ka


 


Petrit Vasili


Të ardhura si Ministër: 1,668,793 lekë


Të ardhura si Kryetar Bordi: 117,090 lekë


Para kesh të shtuara më 2011: 350,000


 


Jorida Tabaku


Paga si zëvendësministre: 1,177,147 lekë


Paga si nënkryetare e Bashkisë: 483,058 lekë


Shlyerje kredie bankare gjatë vitit: 13,184


(Shënim: 10 nga 13 këste ia kanë shlyer prindërit)