Për rritjen e rrogave të togave të zeza, fillimisht, Kuvendi duhet të rrisë pagën e Presidentit


Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë, të drejtuar nga Presidenti, Bujar Nishani, në të cilën ka vendosur menjëherë emërimin e nënkryetarit të këtij institucioni. Gjatë kësaj mbledhjeje, Presidenti Nishani, duke qenë se zhvillonte seancën e parë në krye të këtij institucioni, zgjodhi që të parashtrojë idetë se mbi çfarë bazash duhet, sipas tij, të përqendrohet puna e përbashkët e KLD-së, duke dhënë premtimin se do të kërkojnë nga qeveria ngritjen e pagave të gjyqtarëve në Shkallën e Parë dhe në atë të Apelit. Ndërkohë, gjatë mbledhjes së djeshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, arriti të zgjedhë dhe nënkryetarin e ri, Elvis Çefën, emër ky i propozuar nga Presidenti Nishani. Gjithashtu, është komanduar në postin e kryetarit të Gjykatës së Tiranës, gjyqtari Fatri Islami, i cili merr këtë detyrë menjëherë pas zgjedhjes nga parlamenti të Artan Zenelit si anëtar në Gjykatën e Lartë.


Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës deklaroi se prioritet janë reformat në drejtësi. “Sistemi gjyqësor është element i rëndësishëm i KLD-së, ndaj kemi përgjegjësinë dhe angazhimin për të, për t`u përballur me sfidat e shumta që kemi përpara. Garantoj se Presidenti e KLD-ja do të jenë në krah të gjyqtarëve”, vuri në dukje Nishani. Në vlerësimin e tij, gjykatësit duhet të jenë të lirë në ushtrimin e detyrës. Njëkohësisht, për Presidentin Nishani, duhen paga më të larta për gjyqtarët, e për këtë ai tha se do të ndërhyjë pranë qeverisë. Megjithatë, në sistemin e drejtësisë shqiptare ekziston një formulë tjetër për rritjen e pagesave, ku, sipas të cilës, rroga e një gjyqtari të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit, rritet vetëm në rastet kur Kuvendi vendos të rritë rrogën e Presidentit të Republikës. Kështu, Presidenti Nishani duhet të bindë Kuvendin për rritjen e pagës së tij, me qëllim që të rriten edhe pagat e gjyqtarëve. Por, me këtë veprim favorizohen edhe prokurorët, të cilët përfitojnë në bazë të një koeficienti që varion nga 0.6 deri në 0.9, në rastet kur i rritet rroga kreut të shtetit. Tentativë për rritjen e pagave kishte bërë më parë edhe ish-Presidenti Topi, por kishte arritur vetëm një rritje të vogël.


Nga ana tjetër, në takimin e djeshëm u zgjodh edhe nënkryetari i ri i KLD-së, Elvis Çefa. Me një vendim që nuk u shoqërua me debate, si në mbledhjen e kaluar, Elvis Çefa arriti të zgjidhet me vota unanime në krye të KLD-së. Propozimi i emrit të tij, është bërë nga Presidenti Bujar Nishani, i cili, gjatë dhënies së emrit, u kërkoi anëtarëve të tjerë, të jepnin opinionin e tyre rreth figurës së Çefës. Red. Akt.