Administratori Tagani: “Hetimi është në të mirën tonë, por nëse nuk ka gjë, të vihet në vend imazhi i klubit”
Bardheblutë, të gatshëm për t’u vënë në dispozicion të zbardhjes së të vërtetës
Altin Manallari
Akuzat e Federatës Norvegjeze të Futbollit janë përkthyer brenda pak ditësh në një hetim të UEFA-s, të iniciuar ndaj Tiranës, që është edhe e dyshuara për trukimin e ndeshjes së humbur 0-5 ndaj Alesundit në Norvegji, e vlefshme për turin e dytë të Europa League. Por kjo nuk i ka frikësuar aspak drejtuesit e klubit shqiptar, të cilët e përjashtojnë në mënyrë absolute fajësinë, megjithatë shprehin gatishmërinë për të mbështetur organin më të lartë të futbollit në kontinentin e vjetër drejt zbardhjes së të vërtetës. Qeveria europiane e futbollit ka angazhuar një nga inspektorët e saj të disiplinës, për t’u marrë me investigime të mëtejshme. “UEFA ka mandatuar një inspektor disiplinor për të hetuar më tej çështjen, sepse sistemi i zbulimit të manipulimeve pranë këtij institucioni, që monitoron më shumë se 29 mijë ndeshje në mbarë Europën, përfshi edhe ndeshjet kualifikuese për Champions League dhe Europa League, ka zbuluar disa elementë të dyshimtë në ndeshjen për Europa League mes Alesund dhe KF Tirana, thuhet në një deklaratë të UEFA-s. Ndërkohë, Federata Norvegjeze e Futbollit ka bërë të ditur se kompania e tyre vendase e lotarive e bllokoi këtë ndeshje kur rezultati shkoi 2-0. Sipas zyrtarëve të kompanisë së lotarisë kombëtare norvegjeze, janë vënë re baste të dyshimta nga vende të ndryshme aziatike, duke përfshirë këtu edhe bastin për rezultat të saktë 5-0. Kjo ndeshje përfundoi në total për të dyja takimet me rezultatin 6-1, për skuadrën norvegjeze të Alesundit. Klubi i Tiranës është njohur me nisjen zyrtare të hetimeve nga UEFA vetëm nëpërmjet lajmeve të botuara në shtyp, ndaj ka reaguar dje nëpërmjet një komunikate, ku konstatohet se kjo akuzë është një vazhdimësi e një fryme të përgjithshme negative e Federatës Norvegjeze kundrejt bardhebluve që ka startuar që në ndeshjen e parë të turit të dytë mes Tiranës dhe Alesundit. Drejtuesit e klubit bardheblu theksuan se humbja 5-0 erdhi si pasojë e shumë faktorëve që ndikuan negativisht, mes të cilave ishte edhe terreni sportiv i ndryshëm nga ai i yni. Gjithsesi, drejtuesit e Tiranës kanë pohuar se klubi kryeqytetas do të jetë në gatishmëri të plotë për mbarëvajtjen e këtij hetimi. Madje, në deklaratë thuhet se edhe klubi shpreson në zbardhjen sa më shpejt të fakteve, si dhe në nxjerrjen përpara drejtësisë të përgjegjësve të këtij akti, nëse ka të tillë. Gjithçka është konfirmuar më pas edhe nga administratori i klubit bardheblu, Salih Tagani. “Deri tani nuk kemi asnjë kontakt dhe asnjë sinjalizim nga UEFA për këtë çështje, pohoi dje drejtuesi më i lartë i klubit. Është në interesin tonë të jemi transparentë me UEFA-n. Mendoj se nuk ka asgjë për t’u hetuar, por edhe nëse do të dalë ndonjë gjë ndryshe nga kjo që pretendojmë ne, do të na shërbejë për të spastruar elementë të dëmshëm. Nga unë i pari dhe të gjithë me radhë, jemi në dispozicion të UEFA-s dhe marrin totalisht përsipër të gjithë përgjegjësitë tona deri në përfundim të hetimit. Uroj dhe shpresoj të mos ketë asgjë. Por përderisa UEFA ka marrë përsipër që të bëjë një hetim për këtë ndeshje, le të zbardhet e vërteta. Nëse verifikohet që nuk jemi të përfshirë, atëherë duhet të vihet në vend imazhi ynë. Dhe nëse do të jetë e vërtetë, do të kemi mundësinë ta pastrojmë ekipin nga elementët negativë”, përfundoi Tagani.