Sulmi – Ngjarja e rëndë, që pason sulmet e mëparshme ndaj uniformave blu nga banorët e Lazaratit, pavarësisht formave të ndryshme të tyre, i ka ndodhur postbllokut të policisë në dalje të qytetit të Gjirokastrës, rreth një orë pas mesnatës
Llogaritja – Shkëmbimi i zjarrit ka qenë agresiv, duke kërcënuar seriozisht jetën e policëve. Pozicionimi i autorëve të zjarrit, diku mes kodrave të lagjes “Zinxhira” dhe Lazaratit, favorizonte si sulmin ndaj policisë, ashtu edhe largimin e tyre në kohë
Fshati rebel
Mbi dhjetë gryka automatiku kanë qëlluar me gjurmëlënës nëntë efektivë specialë
Teksa shumë qytete i ka “pushtuar” krimi në këto ditë të nxehta, sidomos ai i vrasjes dhe i grabitjeve, duke sjellë një situatë alarmante, pavarësisht se nuk pranohet zyrtarisht, Lazarati ngre kokën sërish, për t’i treguar policisë se nuk dorëzohet. E madje, këtë mesazh ia ka dhënë me plumba kallashnikovi që në orët e para të mëngjesit, duke përfituar edhe shushatjen e forcave speciale, që prej muajsh kanë rrethuar fshatin rebel, e nuk u jepet një urdhër për të hyrë brenda tij. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar te forcat e policisë, por inatin, lazot, ia kanë nxjerrë malit, që me breshëri gjurmëlënës, i kanë vënë zjarrin. Por, edhe këtë rast, policia, e cila nuk di se cilin krim të dokumentojë më parë, pasi vrasjet kanë plasur sheshit, sa në njërën zonë, aq në tjetrën, është mjaftuar me thirrjet që “banorët e Lazaratit të distancohen nga personat problematikë”, ndërsa policët, të cilëve u ka ardhur shpirti aty ku nuk mban më, presin që situata të qetësohet.
Ngjarja e rëndë, që pason sulmet e mëparshme ndaj uniformave blu nga banorët e Lazaratit, pavarësisht formave të ndryshme të tyre, i ka ndodhur postbllokut të policisë në dalje të qytetit të Gjirokastrës, rreth një orë pas mesnate. Në postbllok ndodheshin nëntë punonjës të policisë, kryesisht nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Mbi ta është qëlluar me të paktën dhjetë gryka zjarri. Policia i është kundërpërgjigjur me armë sulmit nga larg. Shkëmbimi i zjarrit ka qenë agresiv në momentet e para, duke kërcënuar seriozisht jetën e efektivëve të policisë. Pozicionimi i personave që hapën zjarr mbi policinë, diku mes kodrave të lagjes “Zinxhira” dhe fshatit Lazarat, favorizonte si sulmin ndaj policisë, ashtu edhe largimin në kohë të tyre. Zyrtarisht njoftohet se nuk ka të lënduar as mes policisë dhe as mes banorëve.
Kjo situatë ka vijuar për disa minuta, ndërkohë që 15 minuta pas përfundimit të saj, nga fshati Lazarat është qëlluar me fishekë gjurmëlënës në faqen e kodrës së fshatit, duke shkaktuar një zjarr masiv. Nga dyshimet e policisë, zjarri mund t’i jetë vënë kodrës së fshatit për të tërhequr vëmendjen e uniformave blu, me qëllim për të kaluar ndonjë ngarkesë me drogë, ose për të penguar avancimin e policisë. Por, i çuditshëm mbetet fakti, se si policia qëllohet me armë dhe jeta e efektivëve vihet në rrezik dhe askush nuk guxon t’i ndjekë sadopak agresorët, duke i lënë të lirë. Madje, ministri i Brendshëm, Flamur Noka deklaron në media se situata është e qetë dhe që ngjarjet kriminale fryhen nga media, pasi të gjithë vendin e kemi nën kontroll. Ky kontroll duket qartë në deklaratat, që pas këtyre ngjarjeve, ka lëshuar kryesisht Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës.
Duke tentuar të zbutë situatën, policia e ka dhënë njoftimin e sulmit me armë zjarri, si një rast i tretë, i evidentuar në Gjirokastër. “Disa persona nga fshati Lazarat rreth orës 01.00 të mëngjesit të datës 08.08.2012, të cilët janë të evidentuar tashmë nga ana jonë, kanë qëlluar me armë automatike me fishekë gjurmëlënës në drejtim të postbllokut të policisë, i cili funksionon në vendin e quajtur Kordhocë dhe më pas kanë qëlluar në drejtim të kodrave përballë fshatit dhe, si pasojë e plumbave, ka marrë zjarr bari. Edhe në këtë rast, zjarri, si pasojë e erës së fortë, është përhapur me shpejtësi, duke djegur plotësohet tre hektarë me pisha 4-vjeçare, si dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe kullote bar dhe shkurre”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës.
Më tej, zëdhënësi i policisë ka vazhduar me lutjet për banorët e Lazaratit. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër i bën thirrje banorëve të fshatit Lazarat të distancohen nga këta elementë që tentojnë të godasin policinë dhe të bashkëpunojnë me policinë për kapjen e tyre, pasi policia është pjesë e komunitetit dhe në shërbim të komunitetit për të garantuar rendin dhe ligjin. Gjithashtu, policia u bën thirrje gjithë blegtorëve dhe atyre banorëve që kanë në përdorim toka bujqësore apo sipërfaqe kullote, të bëjnë kujdes të mos shkaktojnë zjarr me dashje apo pa dashje, pasi toleranca nga ana jonë do jetë zero”, nënvizoi zëdhënësi i Policisë së Qarkut. Burime të tjera policore thanë për gazetën se deri në mbrëmje janë identifikuar katër persona të dyshuar, që kanë qëlluar ndaj forcave të policisë, të cilët mendohet se janë kultivues kanabisi. Ç. J.
“Lufta”
Askush nuk flet zyrtarisht për arsyen pse Lazarati mbetet jashtë kontrollit
Forcat speciale në Lazarat, në pritje të urdhrit që nuk vjen
Prej tre muajsh, policia ka rrethuar të gjithë komunën Lazarat, me qëllim parandalimin e mbjelljes dhe shitjes së kanabisit, ku janë angazhuar forca policore të kombinuara me trupa të policisë lokale dhe të forcave speciale, por deri më sot, fshati mbetet i paprekur. Askush nuk ka një arsye pse ky fshat mbetet i pakontrolluar nga forcat e rendit, ndërkohë që gjithmonë drejtuesit më të lartë të policisë mundohen të shfajësohen me operacione sporadike jashtë rrethimit. Ashtu sikurse ndodh vazhdimisht në raste të tilla, operacionet në zonat periferike të fshatit, ndalimi i mjeteve të furnizimit me ujë dhe pleh, ndalimi dhe shoqërimi i punëtorëve me mëditje, që shërbejnë në plantacionin më të madh të hashashit në Shqipëri, tashmë janë kthyer në një rutinë, sidomos për forcat speciale FNSH dhe Delta Forcë, të cilët ndihen të keqmenaxhuar nga përfshirja për një kohë të gjatë në operacione të tipit “në luftë me mullinjtë e erës”. Burime nga forcat e policisë speciale, që janë angazhuar në fushatën antikanabis në fshatin e Lazaratit, ndonëse çdo javë ndërrohen duke zëvendësuar njëri-tjetrin, kanë treguar edhe më parë për gazetën, se ka rënie të moralit në rrethanat kur u duhet të angazhohen për të bllokuar disa automjete të amortizuara dhe të dala jashtë përdorimit që transportojnë ujë dhe pleh organik për parcelat me hashash, apo kur shoqërojnë grupe njerëzish fatkeq të papunësh, që punojnë për të kryer shërbime në parcelat kundrejt disa të ardhurave minimale, që përpiqen të sigurojnë “bukën e gojës”. “Qëndrojmë këtu në postbllok me ditë të tëra, pa kryer ndonjë “operacion special”, ndërkohë që parcelat me hashash nuk janë shumë larg nesh. Ne bëjmë kontrolle rutinë këtu në rrugë, prej andej nga brenda fshatit qëllojnë me armë zjarri në ajër”, thotë një pjesëtar i forcave speciale, ardhur nga Tirana në ndihmë të policisë vendase.