Gjatë vitit 2011 qarkulluan gjithnjë e më pak kartëmonedha e monedha të vogla
Gjergj Erebara
Leku ka tendencën të bëhet letër. Kjo shprehje popullore duket se po bëhet realitet në rast se tendenca e vërejtur në vitin 2011, vazhdon. Banka e Shqipërisë njofton se numri i kartëmonedhave 500 lekëshe të përdorura nga shqiptarët ka rënë së bashku me numrin e monedhave 10 dhe 20 lekëshe. Në vend të tyre po qarkullojnë më shumë kartëmonedha 2 mijë lekëshe e më shumë monedha 50 e 100 lekëshe.
“Në fund të vitit 2011, rezultuan në qarkullim 145 milionë copë kartëmonedha me vlerë rreth 200 miliardë lekë, në krahasim me vitin 2010, rezulton një ulje e numrit të kartëmonedhave me
5%, por një rritje prej 0.1% e vlerës së tyre. Kjo dukuri shpjegohet me ndryshimin e lehtë të strukturës së kartëmonedhave në qarkullim”, thotë Banka e Shqipërisë.
Gjatë vitit 2011, pati një rritje të ndjeshme me 22% të numrit të kartëmonedhave të prerjes 2000 lekë në qarkullim. Ndryshe ndodhi me kartëmonedhën 500 lekë që pati një rënie prej 15.8%.
Monedhat metalike në qarkullim në fund të vitit 2011, rezultuan 123,4 milionë copë me vlerë 3 miliardë lekë. Në krahasim me 116 milionë copë me vlerë 2.846 miliardë lekë që ishin në fund të vitit 2010, rezulton një rritje me 6% e numrit dhe vlerës të monedhave metalike në qarkullim. Struktura e monedhës metalike edhe këtë vit vazhdoi të orientohet nga një rritje e peshës
së prerjeve të mëdha 50 dhe 100 lekë. Përkatësisht, monedha metalike 50 lekë u rrit me 6% dhe ajo 100 lekë me 8%.
Shqipëria pakësoi gradualisht gjatë viteve të fundit sasinë e kartëmonedhave 100 lekëshe në qarkullim dhe e nxori atë tërësisht nga qarkullimi në fund të vitit 2010.
Rënia e kartëmonedhave 500 lekëshe në qarkullim mund të lidhet me frikën e përhapur se kjo është monedha më e pëlqyer për falsifikim, ndërkohë që rënia e numrit të monedhave të prerjeve të vogla 5, 10 dhe 20 lekë mund të interpretohet me rënien e shpejtë të vlerës tregtare të këtyre prerjeve, gjë që e ka bërë jopraktike përdorimin e tyre.
Ekonomistët vlerësojnë se ka një ndarje të madhe psikologjike për qytetarët mes monedhës metalike dhe kartëmonedhës, ku monedha përdoret për blerjet e vogla dhe kartëmonedhat përdoren për blerjet e mëdha. Por numri i mallrave që mund të blihen me monedha në Shqipëri është ngushtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Statistikat
Meshkujt në Shqipëri mbajnë shumicën e kartave
Rreth 58 për qind e kartave bankare në Shqipëri mbahen nga meshkujt, ndërkohë që mosha 25-35 vjeç është brezi më i mirëpajisur me mjetin e pagesave elektronike. Lajmi bëhet i ditur nga raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë, i publikuar pak ditë më parë.
“Shpërndarja e kartave sipas gjinisë dhe moshës së kartëmbajtësit tregon për një mbizotërim të kartëmbajtësve meshkuj dhe të grup-moshës 25-35 vjeç”, thotë BSH.
Në Shqipëri qarkullojnë rreth 690 mijë karta debiti dhe rreth 31 mijë karta krediti, të cilat përdoren pothuajse tërësisht për tërheqje parash nga automatet. Dominimi i meshkujve mes kartëmbajtësve ka gjasa që nuk është pasojë shijeje sesa është pasojë e faktit që papunësia mes grave është më e lartë. Shqiptarët filluan të pajisen me karta bankare rreth viteve 2000, fillimisht me vullnet të lirë. Por detyrimi ligjor i të gjithë të punësuarve për të tërhequr pagën në bankë, solli edhe pajisjen e shqiptarëve me llogari bankare dhe me karta debiti. Bankat mbajnë zakonisht 1-2 dollarë komision për mirëmbajtjen e llogarisë dhe po aq komision shtesë për kartën e debitit.
Kartat e debitit dhe llogaritë bankare janë përhapur së fundmi edhe te të varfrit që përfitojnë ndihmë ekonomike.