Në krye të policisë bashkiake në Tiranë vendoset Vullnet Topalli
Pas një sërë ankesash, Florenc Hoxha hiqet nga policia bashkiake dhe dërgohet te ndërtimorja
Pas një sërë ankesash për drejtorin e policisë bashkiake në Tiranë, kryebashkiaku Lulzim Basha e ka “fshehur” Florenc Hoxhën në një tjetër detyrë, duke e liruar nga ajo që mbante që pas largimit nga policia. Ashtu siç ka bërë Basha, që në momentin kur ishte ministër i Brendshëm, e ka mbrojtur sërish Hoxhën, pavarësisht se ndaj tij ka pasur ankesa të shumta, sidomos nga Avokati i Popullit për çështjen e romëve.
Sipas të dhënave, drejtori i policisë bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha, është larguar nga detyra dhe është emëruar në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik. Mësohet se në vend të tij, në krye të policisë bashkiake u emërua drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore, Vullnet Topalli. Burime nga Bashkia e Tiranës bënë të ditur se Hoxha është liruar nga detyra me vendim të kryebashkiakut Basha, ndërsa mësohet se ai do të zërë vendin e Arben Nokës, por këtij të fundit nuk i është gjetur ndonjë post tjetër. Që nga muaji prill i këtij viti, policia bashkiake drejtohej nga Florenc Hoxha, i cili para këtij emërimi, mbante detyrën e shefit të Komisariatit Nr. 3 të Tiranës. Kreu i policisë bashkiake të Tiranës, i përfolur për konflikte të shumta me subjektet private, por edhe sepse goditi me grushte punonjësen e taksave të bashkisë, Anila Çobani, duket se është larguar nga ky post për të mbyllur disa “plagë” të shkaktuara gjatë qëndrimit të tij në këtë detyrë.
Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, duket se e ka mbajtur afër Hoxhën që në momentet kur ishte ministër i Brendshëm. Në atë kohë, Florenc Hoxha ishte me detyrë në Akademinë e Policisë, pikërisht në sektorin e pranimeve dhe testimeve për gradë. Dhjetë ditë para ngjarjes së rëndë të 21 janarit para Kryeministrisë, Florenc Hoxha u emërua shefi i Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, ku edhe gjatë kësaj detyre, në kurriz të tij pati shumë ankesa, sidomos për ushtrim dhune pas ngjarjes së 21 janarit. Ai e mbajti detyrën e shefit të komisariatit, derisa Basha, i zgjedhur kryetar i Bashkisë së Tiranës, e emëroi drejtor të policisë bashkiake. Megjithatë, akuza më e fortë i ka ardhur gjatë kësaj detyre, që bën fjalë për dhunimin e komunitetit rom, veçanërisht fëmijëve. Akuza tepër e rëndë erdhi nga “Amnesty International”, organizatë me famë botërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. “AI është e shqetësuar për dhunimin potencial të së drejtës së familjeve rome për të siguruar jetesën, shkaktuar nga autoritetet vendore në Tiranë, që nuk i lejojnë ata që të mbledhin mbeturina të riciklueshme”, shkruhet në një raport të agjencisë që u publikua pak kohë më parë. Sipas AI, që kur operacioni i policisë bashkiake hyri në fuqi në qershor, 92 persona janë gjobitur, ndërsa u janë konfiskuar mjetet e punës. Dhe kjo është shqetësuese, sepse “rreth 700 familje rome në Tiranë e kanë mbledhjen e mbeturinave si të vetmin burim jetese”.
Nga ana tjetër, thithja e drejtorit të policisë rrugore në varësi të bashkisë, ka hapur një shteg për lëvizje të reja në radhët e Policisë së Shtetit. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nuk është deklaruar zyrtarisht asnjë emër për zëvendësimin e kreut të policisë rrugore, pavarësisht se janë përfolur disa drejtorë, por që mund të pasohen me lëvizje të drejtorëve edhe në qarqe.
Red. Akt.