Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi reagoi edhe një herë lidhur me çështjen e imunitetit, duke akuzuar liderin e PS, Edi Rama se me bllokimin e ri që po përpiqet t’i bëjë imunitetit, duke kushtëzuar referendumin edhe me tri pika të tjera, synon të mbrojë interesat e miliarderëve të korruptuar pranë tij.


“Vendimi i mazhorancës për thirrjen e referendumit popullor për heqjen e imunitetit, pasi z.Rama nuk lejoi më dt. 6 gusht deputetët socialistë të votonin rrëzimin e murit të korrupsionit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, ka futur në panik të thellë kryetarin e Partisë Socialiste dhe klubin e miliarderëve në krye të kësaj partie.

Nga dt. 6 gusht e në vazhdim kryetari i Partisë Socialiste dhe zëdhënësit e tij, të tmerruar nga zëri i qytetarëve për heqjen e imunitetit, deklarojnë çdo ditë se do të bllokojnë referendumin, apo sipas tyre, vendimi për mbajtjen e tij kërkon miratimin me 2/3 nga Kuvendi dhe ata do të bllokojnë në Parlament, pra, nuk do të japin votat, madje dhe kërcënojnë në mënyra qesharake, se po u thirr referendumi për heqjen e imunitetit nga mazhoranca, Partia Socialiste do të thërrasë katër referendume”, u shpreh zëdhënësja e PD.


Më tej Bardhi theksoi se arsyeja e vetme e këtij bllokimi absurd nga ana e PS është që të ruajë dhe fshehë aferat korruptive të disa anëtarëve të saj, të cilët i cilësoi si klubi i miliarderëve.


“Nga  të dhënat e ILDKP-së rezulton se vetëm njërit prej anëtarëve të klubit të miliarderëve dhe konkretisht Fidelit të Partisë,  i kishin dhuruar ndër të tjera, tre apartamente në qendër të Tiranës me vlerë rreth një milion euro apo vetëm nga dividenti i një klubi ku është aksionarë me të tjerë. Ylli i miliarderëve të Partisë Socialiste ka përfituar gjysmë milioni euro. Ne  dhamë këto dy shembuj për të faktuar se si miliarderët në krye të Partisë Socialiste maskojnë pasuritë e tyre të paligjshme, duke deklaruar – një milion Euro si dhuratë e miqve të tyre ‘bujarë’ që falin tre apartamente në qendër të Tiranës sikur të ishin tre kravata”, vijoi Bardhi.


Në fund të fjalës së saj, zëdhënësja e PD i ka kujtuar edhe një herë Ramës se, të gjitha përpjekjet për të bllokuar referendumin janë të kota, pasi ai do të bëhet gjithsesi, pasi “e drejta për thirrjen e referendumit është e drejtë kushtetuese e qytetarëve, parlamentarëve dhe qeverisë së vendit, sanksionuar në nenin 150 të Kushtetutës së vendit”, tha ajo.

10 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)