Ushtria siriane duket se ka pushtuar në qytetin Aleppo lagjen “Salahedin”


Komandantët rebelë sirianë thonë se kanë humbur kontrollin e distriktit strategjik të Salaheldin-it, që ndodhet në veri të qytetit të Aleppo-s. Ushtria siriane ka filluar një ofensivë të madhe me avionë luftarakë dhe tanke në qytetin me miliona banorë, në Aleppo. Përfundimi i betejës mund të jetë vendimtar për vazhdimin e konfliktit. Ushtria siriane, me sa duket, ka pushtuar në qytetin Aleppo lagjen “Salahedin”, e cila është mbajtur deri tani nga rebelët. Këtë e konfirmuan kryengritësit dhe një stacion libanez, i afërt më Sirinë. Kjo pjesë e qytetit ka qenë prej tre javësh objekt i sulmeve nga toka dhe ajri, të kryera nga ushtria siriane. Rebelët patën njoftuar se është duke iu mbaruar municioni. Beteja për Aleppo-n vlerësohet si shumë e rëndësishme për ekzistencën e regjimit të Assad-it. Amnesty International paralajmëroi për rreziqet e krijimit të një katastrofe humanitare për banorët e Aleppo-s nëpërmjet ndërhyrjes së armëve të rënda. Në Damask rebelët islamikë morën përsipër vrasjen e një gjenerali rus. Ai ka qenë këshilltar i ministrit sirian të Mbrojtjes. I njëjti grup thotë se ka kryer edhe atentatin e fillimit të korrikut, gjatë të cilit humbën jetën katër vetë besnikë të Assad-it. Për 48 iranianët e rrëmbyer, Ministria e Jashtme në Teheran thotë se ata kanë qenë ish-anëtarë të Gardës Revolucionare, që ndodheshin në Siri vetëm për një udhëtim pelegrinazhi. Rrëmbyesit islamikë kanë argumentuar marrjen e pengjeve me përkrahjen aktive të regjimit të Assad-it nga Irani dhe kanë kërcënuar me vrasjen e tyre. Assad-i theksoi gjatë vizitës së këshilltarit iranian për çështjet e sigurisë, Jalili se do të shtypë kryengritjen dhe do të pastrojë Sirinë nga terroristët. Të njëjtën gjë tha edhe në intervistën e dhënë për televizionin gjerman ARD: “Për sa kohë që terroristët ndodhen këtu, nuk do të ketë asnjë dialog. Ata duhen luftuar. Nuk mund të bëhen bisedime, ndërkohë që ata vrasin popullin dhe ushtarët.” Ky është refuzim për çdo lloj zgjidhjeje politike. Gjatë vizitës së iranianëve ai u shfaq për herë të parë pas dy javësh dhe pas arratisjes së Kryeministrit të tij. Shefi për çështjet e sigurisë në Iran e siguroi për përkrahjen e vendit të tij. Një fund i shpejtë i regjimit nuk duket. Kështu mendon edhe Mbreti Abdullah në Jordaninë fqinje. Assad-i do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë që ka bërë këta 17 muaj. “Kredoja e tij janë armët. Ai mendon se ka të drejtë. Regjimi nuk ka perspektivë tjetër. Nuk është vetëm Assad-i, por është një sistem i tërë. Prandaj shtrohet pyetja se, nëse ai largohet, a do të vinte një pasardhës i zoti, që të ishte në gjendje të reformonte Sirinë. Assad-i, do të vazhdojë siç është mësuar.” Prandaj edhe Kryeministri i sapolarguar, i cili angazhohet tani për kryengritësit, thotë se nuk ekziston alternativë politike për të ardhmen e Sirisë. Mbreti Abdullah druhet se mund të ketë një ballkanizim të vendit. “Nëse Assad-i nuk mund të mbajë më bashkë Sirinë e tij të Madhe, krijimi i një enklave për pakicën e tij alavite mund të jetë plani i tij B. Ky do të ishte skenari më i keq, i cili mund të çonte në shpërbërjen e Sirisë. Nga një gjë e tillë, rajoni nuk do ta merrte dot veten për vite të tëra”, thotë Mbreti Abdullah II. Internacionalizimi në rritje i konfliktit sirian është vetëm një nga shenjat paralajmëruese për skenarët që mund të destabilizojnë Lindjen e Afërme.