Kuriozitet


Çdo shkelje mbi 12 pllakat prodhon energji që akumulohet nga një gjenerator


Shumë prej spektatorëve që shkojnë drejt stadiumit olimpik po ndihmojnë në furnizimin me energji të një stacioni të metrosë në Londër, me këmbët e tyre. Kjo teknologji e fundit për mbrojtjen e mjedisit shfrytëzon një nga pak burimet natyrore të kryeqytetit britanik: njerëzit e shumtë. Kjo pllakë e gjelbër që s’bie shumë në sy, në stacionin e metrosë Uest Hem, është në fakt një prodhues energjie. Kur një këmbësor ecën mbi të, ajo prodhon pak energji drejt baterisë së gjeneratorit. Në mbrëmje ka energji të mjaftueshme të grumbulluar për të ndihmuar në ndriçimin e stacionit. Kjo teknologji e rinovueshme është autorizuar nga Autoriteti Olimpik i Infrastrukturave (ODA), për një stacion metroje shumë të populluar pranë parkut olimpik, duke ndihmuar që Lojërat e Londrës të jenë më të gjelbrat në histori. Gjatë periudhës së olimpikeve, mbi një milion njerëz do të kalojnë aty për të shkuar për në stadium, duke mundësuar kështu grumbullimin e energjisë, që thjesht do të kishte humbur. Secila prej pllakave përmban transmetues pa fije, që dërgojnë informacion në një faqe interneti, duke lejuar spektatorët dhe organizatorët të monitorojnë sesa energji e ripërtëritshme është duke u krijuar. Kompania “Pavegen Systems”, e cila krijoi këtë teknologji, ka instaluar 12 pllaka grumbulluese të energjisë përgjatë një kalimi që lidh stacionin me rrugën “Greenway”, e cila përbën rrugën kryesore drejt parkut olimpik. Kur shtypet, sipërfaqja e pllakës përkulet paksa duke transformuar energjinë kinetike, në varësi të forcës së ushtruar gjatë ecjes. Sipas parashikimeve të kompanisë “Pavegen”, pllakat do të marrin rreth 12 milionë shtypje nga hapat e njerëzve. Por sa energji do të krijohet prej tyre? “Ndriçimi për çdo natë këtu në stacion do të mundësohet vetëm nga njerëzit që ecin mbi 12 pllakat pas shpinës sime”, thotë Kempbell, themeluesi kompanisë “Pavegen Systems”.


 


12 pllaka


Kompania “Pavegen”, e cila krijoi këtë teknologji, ka instaluar 12 pllaka grumbulluese të energjisë përgjatë një kalimi që lidh stacionin me rrugën drejt parkut olimpik