
Aldo Hoxha, i dyshuar si vrasësi i 37-vjeçares Fatbardha Tafa
Policia e kryeqytetit ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur 4 ditë më parë në zonën e Fushës së Aviacionit, ku mbeti e vdekur me thikë në zemër 37-vjeçarja Fatbardha Tafa dhe u plagos motra e saj, Lumturie Gjana.
Aldo Hoxha, 20 vjeç, është arrestuar nga forcat e komisariatit numër 3 në Tiranë si i dyshuari kryesor që qëlloi viktimën Tafa për vdekje, mbrëmjen e së martës, në tentativë për t’i grabitur asaj varësen e floririt. 20-vjeçari mbahej nën survejim prej 72 orësh nga policia e kryeqytetit, në shtëpinë e tij në zonën e Laprakës. Ndërkohë që njoftohet se në banesën e tij është gjetur një kapele me njolla gjaku, që mendohet të jetë i viktimës Tafa ose motrës së saj, e cila mbeti e plagosur gjatë agresionit, por do të jetë analiza e ADN ajo që do të nxjerrë të dhëna më të plota lidhur me këtë fakt.
Pavarësisht marrjes së vazhdueshme në pyetje nga grupi hetimor, 20-vjeçari nuk ka dhënë asnjë shpjegim deri më tani lidhur me ngjarjen e rëndë. Sipas policisë, Aldo Hoxha është person me precedentë penalë, ndërkohë që një vit më parë është ndaluar për armëmbajtje pa leje pikërisht në zonën që njihet si ‘Fusha e Aviacionit’, ku ndodhi edhe ngjarja e rëndë. Policia është duke hetuar për identifikimin e dy personave të tjerë të implikuar në ngjarjen e rëndë, personi që ngiste motorin dhe një tjetër që mendohet se i ka strehuar pas krimit.
Ngjarja e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik ndodhi të martën, më 7 gusht, kur si pasojë e një sulmi nga dy të rinj më motor për t’i rrëmbyer varësen e floririt, mbeti e vrarë me thikë 37-vjeçarja Fatbardha Tafa, ndërsa u plagos motra e saj, Lumturie Gjana. Ngjarja ndodhi në mes të ditës, në një zonë të populluar dhe ngriti shumë pikëpyetje lidhur me sigurinë fizike të qytetarëve të thjeshtë.
11 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)