Kryeministri Sali Berisha ka thyer rekordin e tij të notimit. Sipas burimeve, mësohet se dje në zonën turistike të Dhërmiut, në vilat qeveritare, Berisha ka thyer rekordin personal të vendosur më 29 korrik. Ai ka hyrë në det në orën 9.10 dhe ka dalë rreth orës 12.02, duke qëndruar 2 orë e 50 minuta në det. Në datën 29 korrik notoi për 141 minuta. Burime bëjnë të ditur se vetë Kryeministri nuk ka dashur ta bëjë publik një fakt të tillë, pasi e ka cilësuar si një stërvitje normale thyerjen e rekordit prej 9 minutash. Përpara 13 ditëve, zyra e shtypit bëri të ditur se “i frymëzuar nga shpirti olimpik, Kryeministri Berisha, i cili po kalon të dielën me mbesat dhe nipërit në Dhërmi, vendosi një rekord të ri personal, 141 minuta not në ujërat e mrekullueshme të Detit Jon, kundrejt 132 minutave të një viti më parë. Noti filloi në orën 9:10 dhe përfundoi në orën 11:31 minuta. Kryeministri tha se “zëri i Detit JON më tha se ky rekord i ri personal është një ogur i bardhë për fitoren e merituar të zgjedhjeve të 2013”. Ndonëse ky rekord i ri është historik i Kryeministrit Berisha, por ai beson se në gusht mund të shënojë një rekord tjetër të ri. Këtë e bëri publike dhe në mbledhjet e grupit të deputetëve të partisë së tij.