“Nuk mund të kërkojmë komision hetimor, i mëshojmë kontrollit parlamentar”
BLEDAR HOTI
Opozita vazhdon të ngrejë dyshimet e saj se bllokimi i mbikëqyrjes ligjore parlamentare, nga ana e ministrit së Mbrojtjes bëhet për të mos zbuluar aferat e dyshimta të ministrit Arben Imami. Këtë mendim ndan deputeti socialist, anëtari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Xhemal Qefalia. Në një prononcim për median shprehet se “po pengohen në realizimin e mbikëqyrjes parlamentare, edhe pse ka dyshime se kjo po realizohet për çështjen e fshehjes së aferave”. Qefalia insiston në realizimin e këtij kontrolli parlamentar, duke u shprehur se ai do të realizohej në ditë, pavarësisht përpjekjeve permanente të Imamit për të bllokuar hetimin e ligjshëm të Kuvendit. “Të gjitha këto që po ndodhin po forcojnë bindjen se atje diçka po kryhet në interes për të fshehur diçka dhe mbi të gjitha për t’iu shmangur së vërtetës. Të jetë i bindur Imami apo dhe zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes se këtij kontrolli nuk do t’i shmanget. Do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ato persona që vepruan për të fshehur të vërtetën mbi aferat e ministrisë, mbi fondet, mbi blerjet e aparaturave të përgjimit”, thekson Qefalia. Që në muajin maj është miratuar me konsensus, nga ana e Komisionit të Sigurisë për realizimin e mbikëqyrjes parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes, për 8 çështje. Shitja e armëve nga MEICO është një nga çështjet, ndërsa ajo që opozita pretendon me forcë është fakti se dikasteri që drejtohet nga Imami ka kryer përgjime të paligjshme. Shërbimi Informativ Ushtarak ka realizuar përgjime të paligjshme ndaj opozitës. PS-ja, në të njëjtën kohë, ngre dyshime se përgjime janë kryer edhe nga ndaj diplomatëve. Pavarësisht se Komisioni Parlamentar i Sigurisë ka miratuar me konsensus 8 çështjet nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës, Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë sulmin e paprecedent të bllokimit të kontrollit nga Parlamenti. Deputetët e opozitës janë bllokuar dy herë në kryerjen e këtij kontrolli në Ministrinë e Mbrojtjes. Imami, nga ana e tij, e ka cilësuar si të paligjshëm një kontroll të tillë, edhe pse ka një vendim konsensual si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita. Ministri i Mbrojtjes ka hedhur idenë që opozita të ngrejë një komision të posaçëm hetimor. Por deputeti socialist Qefalia shprehet se nuk është e udhës të ngrihet një strukturë e tillë e posaçme. “Do të ishte një humbje kohe kërkesa për një komision hetimor, si dhe për të mos kryer asnjëherë një kontroll të tillë. Ndërsa mendoj se duhet të vazhdojmë të insistojmë për zbatimin e vendimin të Komisionit të Sigurisë për realizimin e mbikëqyrjes parlamentare. Siç dihet, vendimmarrja e komisionit për një çështje të tillë ka qenë unanime”, u shpreh Qefalia. Shtatori pritet të rikthejë edhe një herë debatet në këtë komision kuvendor mbi realizimin e kontrollit ndaj Ministrisë së Mbrojtjes.
2 herë – Opozita është bllokuar dy herë në përpjekjet e saj për të realizuar kontrollin parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes
8 çështje – Komisioni Parlamentar i Sigurisë ka rënë dakord për të ushtruar kontroll te Ministria e Mbrojtjes për 8 çështje të ndryshme