Bushati e propozoi për presidente, tani e akuzon Topallin për imoralitet politik


Aleanca Demokristiane sulmon për herë të parë kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Në një reagim zyrtar të kësaj partie nëpërmjet faqes sociale të bie në sy se kjo parti ka dalë kundër Topallit, personi që dikur kjo parti e mbështeti si kandidate për postin e Presidentit. Partia që drejtohet nga Zef Bushati ka dalë kundër numrit dy të PD-së, duke e akuzuar Topallin për imoralitet politik. “Aleanca Demokristiane është e zhgënjyer nga Jozefina Topalli. Mosmirënjohja dënohet edhe nga Bibla e Kurani. ADK-ja e dënon imoralitetin politik”, shkruhet në faqet zyrtare të kësaj partie si në “Facebook” dhe në “Twitter”. Nuk dihen ende arsyet se pse Bushati ndërmori një sulm të tillë. Aktualisht, ai është këshilltar i ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi. Bushati ishte i pari që propozoi kryeparlamentaren Topalli si kandidate për postin e Presidentit, nisur nga fakti se vetë ajo është e besimit katolik. Por një gjë e tillë nuk u mor në konsideratë. “Sali Berisha, Ilir Meta, Shpëtim Idrizi e Fatmir Mediu e zgjodhën Presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Propozimet dhe mesazhi i Ismail Kadaresë dhe i Zef Bushatit nuk u mor as në konsideratë. Ismail Kadare propozoi gjeneralin Sandër Lleshi, katolik nga Mirdita, Zef Bushati propozoi zonjën Jozefina Topalli, katolike nga Shkodra. Të dyja figurat janë të nderuara dhe me mjaft kontribute për integrimin e Shqipërisë në BE. Por nuk u zgjodh asnjëra prej tyre. Edhe mbas 100 viteve nuk ka një President Republike nga komuniteti katolik shqiptar. Pse kështu?! A e di njeri që ta shpjegoje arsyen?”, thuhej në një reagim të ADK-së.