Futbolli italian ka hapur siparin me takimin e Superkupës, ndeshje që është diskutuar mes fituesve të kampionatit të fundit, Juventusit dhe Napolit që fitoi kompeticionin e kupës. Napoletanët e nisën sfidën disa ditë më parë, pasi “spiunuan” skemat e juventinëve dhe “lufta” vazhdoi në media për të përfunduar mbrëmjen e djeshme ku “Zonja e vjetër” triumfoi në kohën shtesë me rezultatin 4-2. Por, ajo që kurrë nuk ishte parë në botën e futbollit ishte që një ekip që humb një finale të mos marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së trofeut. Nuk ka asnjë arsye, e mirë apo e keqe, e pranueshme ose jo për të mos dalë në podium e sidomos përpara mijëra tifozëve për një ngjarje sportive ku gjithnjë shihet me emocion çdo lëvizje. Juventus e kishte harruar humbjen në finalen e Kupës së Italisë më 17 maj dhe në këtë takim u rikthye për të rregulluar atë gabim të 3 muajve më parë. Golin e parë e shënon Kavani në minutën e 27-të, pasi përfiton nga një gabim i mbrojtësit Lusio dhe shënon përball “gardianit” Bufon. Por juventinët nuk rrinë duarkryq, ata barazojnë 11 minuta më vonë me anë të blerjes më të re, Asamoah. Pjesa e parë nuk përfundon me kaq, Bonuçi bën një gabim të pafalshëm dhe nga kjo përfiton Goran Pandev, i cili shfrytëzon mjaft mirë topin dhe e dërgon atë me parabolë në portë, ku Bufon nuk mundi ta ndalte. Pjesën e dytë Juve e nis me ndryshim, Vuçiniç inkuadrohet në fushë që në minutën e parë. Nis loja, dhe të dyja skuadrat vërshojnë në pjesët defensive të secilës pjesë të fushës. Juventinët në minutën e 73-të fitojnë penallti të dyshimtë, të cilën e ekzekuton Vidal, që nuk fal në këtë rast. Shënon golin e barazimit, gol i cili e dërgon takimin në 30 minuta shtesë. Napoletanët për shkak të nxehjes ndëshkohen me kartonë të kuq. Pandev dhe Zunia lënë njëri pas tjetrit fushën dhe torinezët në epërsi numerike shënojnë dy herë, duke marrë kështu trofeun e pestë të Superkupës së Italisë. Ndërsa napoletanët tashmë nuk dalin as për konferencë për shtyp…


Juventus – Napoli 4-2


Asamoah 38’, Vidal 73’ (p), Maxhio 97’ (a.gol), Vuçiniç 101’ / Kavani 27’, Pandev 41’