Elton Llalla mashtroi se e kishin vjedhur me armë
Tiranë – Teksa të gjithë punonjësit e policisë ishin angazhuar për zbardhjen e vrasjes së 38-vjeçares, një tjetër denoncim për grabitje me armë ka alarmuar policinë e kryeqytetit. Ngjaja ka ndodhur rreth mesnatës së të premtes, duke u gdhirë e shtunë, kur është denoncuar për një vjedhje me armë në një kazino. Por pas hetimeve të shpejta, të kryera nga seksioni kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë, ka rezultuar se vjedhja ishte kryer nga vetë punonjësi i pikës, i cili është arrestuar për vjedhje dhe kallëzim të rremë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se Elton Llala ka telefonuar në sallën operative, duke deklaruar se dy persona me armë dhe maska e kishin grabitur në një kazino pranë 15-katëshit, ku punonte prej disa kohësh. Menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 3, por edhe ato të seksionit kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë, që kanë marrë kontakt me “të dëmtuarin”. Llalla ka deklaruar se dy persona me maska i kishin marrë rreth 45 mijë lekë të xhiros në kazino. Menjëherë, policia ka nisur hetimet, por deklarata e tij ka qenë e dyshimtë, kështu që në hetim është përfshirë edhe vetë kallëzuesi. Pas një sërë metodash të përdorura në hetim ka rezultuar se ai i kishte marrë paratë nga arka vetë dhe i kishte lënë në një nga makinat e lojërave të fatit, me shpresën se do të fitonte. Në këto kushte, pasi policia ia ka vërtetuar këtë akuzë, është vendosur arrestimi i tij për vjedhje dhe për kallëzim të rremë. Sipas policisë, vepra penale u vërtetua pas kontrollit të llogarisë së parave të futura në makinat e lojërave të fatit.
Denoncimi: Kur policia po merrej me zbardhjen e vrasjes së 38-vjeçares, u njoftua se një grabitje me armë kishte ndodhur pranë 15-katëshit