Historia e një drame të harruar. Pas “Diaz” dhe 21 vite nga zbarkimi i 21 mijë shqiptarëve që ndodheshin në bordin e anijes “Vlora”, Daniele Vicari risjell ngjarjen në një film dokumentar që do të shfaqet në programin e Festivalit të Filmit në Venecia. Ngjarja vjen përmes sekuencave arkivore, por edhe dëshmitarëve që e përjetuan: nga kujdestarja që sapo është diplomuar te balerini Kledi Kadiu
Claudia Morgoglione
Emri me pesë germa i shkruar në kiçin e anijes Vlora, për shumë njerëz mund të mos thotë asgjë. Por çdokush që ka parë pamjet e saj, nuk mund të harrojë kurrë pasojën e ngjarjeve të lidhura me këtë anije të mallkuar. Zbarkimi në Bari në vitin 1991 i më shumë se 20 mijë shqiptarëve që kishin hipur me forcë në bord, në Portin e Durrësit; burgosja e tyre në stadiumin e qytetit kryesor puljez, kundër dëshirës së kryebashkiakut dhe kundër çdolloj ndjenjë humaniteti; revoltat; riatdhesimi i thuajse të gjithë këtyre emigrantëve. Bollëku i shpresuar nga ta, “L’america”, siç e ka titullin filmi i Gianni Amelio i frymëzuar nga kjo ngjarje, mbeti një përbindësh. Ata ishin të dërmuar nga një dramë e paimagjinueshme: “Një skenë danteske”, siç e kujton tani një nga dëshmitarët e shumtë. Një plagë e thellë që do të mbetet jo vetëm tek ata që e përjetuan në lëkurën e tyre, por edhe te ne, sepse vendi ynë tregoi humbjen e plotë të ndërgjegjes para një urgjence emigracioni, që mbetet ende e pambyllur prej asaj kohe. Tashmë, ajo histori e 21 viteve më parë rikthehet për të jetuar në ekranin e madh. Kjo është meritë e një regjisori si Daniele Vicari, i cili në këtë fazë të krijimtarisë së tij, duket i kujdesshëm për të qëmtuar historinë bashkëkohore italiane dhe hijet e saj. Kjo ndodhi edhe me “Diaz”; ndërsa tani i takon filmit dokumentar “La nave dolce”, që do të prezantohet si një event special jashtë konkursit në Festivalin e Venecias. Një pelikulë e fortë, e rëndë, e nevojshme që rindërton me qartësi, në një rregull të rreptë kronologjik faktet që kulmuan me zbarkimin e tyre më 8 gusht 1991. Dokumentari kërkon të prodhojë besueshmërinë e tij, duke përdorur si pamje arkivore ashtu edhe dëshmi të atyre që i jetuan ato ditë. Shqiptarë të shumtë që iu thyhen ëndrrat në breg dhe italianë, të cilët patën vullnetin të bëhen pjesë e kësaj drame ose të qëndrojnë si spektatorë të thjeshtë. Ata janë vlera e shtuar e kësaj vepre.
Le të fillojmë nga titulli “La nave dolce” (Anija e ëmbël). Një mbiemër i përdorur me dykuptimësi. Domethënia e parë është e drejtpërdrejtë: Vlora, anija tregtare që zbarkoi në Portin e Durrësit, ka një ngarkesë rreth 10 tonelata sheqer që vinte nga Kuba. Por komandanti Halim Malaqi, edhe ai i intervistuar në këtë film. Por komandanti Halim Milaqi, i intervistuar në film, nuk do të arrinte kurrë të dërgonte mallin në tokë, pasi mjeti lundrues u pushtua nga mijëra shqiptarë të joshur nga mirazhi i një jete më të mirë në Itali, ose në një tjetër vend europian. Në pjesën dërrmuese janë njerëz normalë, që gjenden në bord thuajse rastësisht, pasi kishin marrë vesh se porti ishte rihapur. Por disa nuk ishin kaq miqësorë: “Kishin armë, më detyruan të drejtohesha për në Itali”, tregon Milaqi para kamerës. Mendoja të ankorohesha në Brindisi, që ishte porti më i afërt, por autoritetet më drejtuan për në Bari”. Në bord mijëra persona që rrinin si milingona, mes të cilëve edhe fëmijë, gra shtatzënë, invalidë. Mes tyre edhe personazhe të ekranit që tregojnë ngjarjen. Mbi të gjithë mund të përmenden balerini Kledi Kadiu, atëherë 16-vjeçar, që u bë i famshëm falë pjesëmarrjes në “Amicci” të Maria De Filippi; Eva Karafili, e sapodiplomuar në ekonomi, e cila u ngjit në bord me të shoqin e aty takoi edhe vëllain, e që tani punon si përkthyese, por edhe si kujdestare në Pulja; Robert Budina, student i Akademisë së Arteve, tani regjisor në vendin e tij. Në fillim, shpresa e tyre është e ëmbël, pikërisht si ato tonelata sheqeri të stivosura në anije. “Bërtisnim Italia, Italia, nga gëzimi”, tregojnë. E megjithëse vuanin për mungesë uji e ushqimi. “Vetëm duke e menduar tani, kam ende etje. M’u desh të pija ujë me kripë dhe luajta mendsh, sepse etja u shtua”, tregon Kledi. Mirëpo në tokë u konsumua tragjedia e vërtetë. Qyteti puljez dhe e gjithë Italia nuk ishte e përgatitur për këtë eksod biblik kaq masiv e të dëshpëruar. Kryebashkiaku i asaj kohe, Enrico Dalfino, propozoi një model të mbrojtjes civile, me ngritjen e mijëra tendave pranë portit, por qeveria zgjodhi që ata 20 mijë persona të uritur, të etur e që shumica kishin mbetur vetëm me mbathje, t’i mbyllte në stadium. Një zgjidhje majtiste në vetvete që të kujton momente tragjike si Kili i Pinoçet. Edhe nga pikëpamja e administrimit kishte probleme të mëdha: “Kishte probleme të theksuara logjistike. Asnjë nuk kujdesej për mungesën e kushteve higjienike, kujton gazetarja Fortunata Dell’Orzo, që ndiqte ngjarjen për “TeleBari”. nuk u mendua as se si do të shpërndahej uji e ushqimi. Struktura ra në dorë të bandave kriminale shqiptare. Si pasojë shpërtheu revolta ndaj policisë, që pasoi qatë që ndodhi në port. Në fund, thuajse të gjithë u riatdhesuan, përveç 1500 vetëve që arritën të arratisen. Atëherë, në fund të këtij epilogu të hidhur, nuk mbetet gjë tjetër veçse të citojmë dëshminë e Nicola Montano-s, inspektorit të policisë që ndoqi të gjithë ngjarjen, që nga mbërritja e “anijes së ëmbël” atë mëngjes të 8 gushtit: “Mbeta i shtangur nga ai spektakël. E paimagjinueshme. Për më tepër që shqiptarët që ndodheshin në bord festonin. Dhe unë mendoja: po çfarë kujtojnë se kanë fituar?”. Për fat të keq, faktet do t’i japin të drejtë pesimizmit të tij. La Repubblica
Drama
Historia e zbarkimit të shqiptarëve në brigjet e Barit 21 vite më parë rikthehet për të jetuar në ekranin e madh. Kjo është meritë e një regjisori si Daniele Vicari, i cili në këtë fazë të krijimtarisë së tij, duket i kujdesshëm për të qëmtuar historinë bashkëkohore italiane dhe hijet e saj
Festivali
Filmi dokumentar “La nave dolce”, do të prezantohet si një event special jashtë konkursit në Festivalin e Venecias. Një pelikulë e fortë, e rëndë, e nevojshme që rindërton me qartësi, në një rregull të rreptë kronologjik faktet që kulmuan me zbarkimin e tyre më 8 gusht 1991
Dëshmitarët
Mes dëshmitarëve ka edhe personazhe të ekranit. Mbi të gjithë mund të përmenden balerini Kledi Kadiu, atëherë 16-vjeçar, që u bë i famshëm falë pjesëmarrjes në “Amicci” të Maria De Filippi; Eva Karafili, e sapodiplomuar në ekonomi, e cila u ngjit në bord me të shoqin e aty takoi edhe vëllain, e që tani punon si përkthyese, por edhe si kujdestare në Pulja; Robert Budina, student i Akademisë së Arteve, tani regjisor në vendin e tij.