Profesionet që u harruan Zanatçinjtë, drejt zhdukjes
Të rinjtë nuk kanë dëshirë ta trashëgojnë punën e dorës
Lorina Mixha
Etiketat ku lexohet “e bërë me dorë” (made by hand), i bëjnë produktet më të shtrenjta, më me sqimë, me kosto më të lartë dhe thjesht të mrekullueshme. Një pjesë e zanatçinjve dhe zanatçeshave që bëjnë këtë punë janë zhdukur.
Të tjerë janë drejt zhdukjes. Pasardhësit e tyre nuk e pëlqejnë profesionin e të parëve, ndërkohë që nuk marrin as edukimin dhe formimin e nevojshëm për të trashëguar vlerat e familjarëve, për të mbajtur një biznes të vogël apo të madh, e cila do t’u sillte më shumë fitime krahasuar me të ardhurat që paguhen në institucionet e ndërmarrjet ku janë apo kërkojnë të punësohen. Ndërsa në vendet e zhvilluara, puna e dorës kërkohet dhe pëlqehet në masë, e gjithfarëllojshme dhe e çdo sektori qoftë, në Shqipëri, puna e dorës pas viteve ’90 u largua me shpejtësi, ashtu si orenditë, çentrot e qëndisura dhe stolisura bukur, apo perdet e prera me modele të holla, njësoj siç bënin vajzat dhe gratë që punonin në ish-artistiken “Migjeni”, stilistet që bënin modën në atë kohë.
Zanatçinjtë
Aktualisht në vend, sipas specialistëve dhe industrisë, nuk kemi kallajxhi, artizanë që të na kallajisë objekte, tepsi, rripa, sipërfaqe dhe enë të kuzhinës apo orendi për stoli.
Furrxhiu, furrat ku më parë qytetarët çonin tavat e patateve, pulat e ditës së diel e bakllavatë sot mungojnë. Në Tiranë, pak vite më parë, u mbyll edhe furrxhiu i fundit që kishte mbetur. Në të gjithë botën ky zanat është i vlefshëm dhe i kërkuar si nga qytetarët ashtu edhe nga turistët. Rasti më i përfolur është përvoja e Greqisë, kur turistët familjarë në ishuj çojnë tavat te furrëpjekësi. Siç thonë dhe ata, kjo është një mënyrë për të kursyer para dhe kohë, por edhe për të gatuar bashkë me familjen për vaktin e drekës apo të darkës. Tani furrëpjekësit janë zëvendësuar kryesisht me bizneset e picave, të cilët njohin vetëm furrën e gazit apo të drurit dhe shërbejnë produkte brenda një kohe të shkurtër.
Bakërxhiu, apo bakërpunuesi është zanatçiu që punon sendet në bakër, orendi shtëpiake, objekte stolie apo sende të tjera. Sot në vend gjejmë shumë pak, për të mos thënë aspak. Në qytetin e Krujës mund të gjendet ndonjë zanatçi i fundit që produktet e tij i sjell në kryeqytet a në pazarin e qytetit të tij të lindjes për t’i shitur te turistët apo te ndonjë qytetar të pasionuar me punët e dorës e njohës i mirë i vlerave, materialeve dhe stemës “made by hand”.
Lëkurëregjësit apo përpunuesit e lëkurës, para se materiale të dërgohet në fabrika apo kërkues të këtij produkti nuk gjenden më. Kaherë këta zanatçinj gjendeshin kudo dhe puna e tyre ishte e vlerësuar sidomos nga profesionistët që e punonin atë, për rripa, çanta, xhaketa, kolltukë e karrige, si ato të Pogradecit, klasiket që merrnin çiftet e martuara për shtëpitë e reja.
Detalpunuesi, ai që njihej edhe si axhustator, nuk ka më në “gjendje pune”. Mekaniku primitiv që bën detalet e thjeshta me lima, sharra hekuri apo torno i përket një kohe tjetër.
Sa herë na ndodh që të hedhim një çantë, një palë këpucë a sandale, një rrip apo një send tjetër prej lëkure, për shkak se nuk kemi ku ta rregullojmë. Në kryeqytet sot nuk mund të gjesh më një galanteri, një dyqan ku ofrohen restaurime për të tilla produkte. Madje rëndom mund të gjejmë ndonjë biznes tek-tuk që i shpërdoron emrin, e në vend që të ofrojë shërbime rregullimi, shet çanta dhe rripa inkiliti.
Argjendarët sot janë profesionistë që po harrohen. Në qytetet e mëdha mund të numërosh ndonjërin prej tyre me gishtat e dorës. Artizanët që punojnë unaza, gjerdanë e orendi qoftë edhe në filigramë, art për të cilin njihemi kudo, po shkojnë drejt zhdukjes. Të paktë janë fëmijët e tyre që duan të trashëgojnë këtë zanat, e jo më që ta zgjerojnë atë, për të sjellë risi, për të cilat nuk kemi mbajtur rekord. Përmendim rastin e punimit të gurëve të çmuar.
Qilimpunuesit, që në pjesën dërrmuese të rasteve janë femra, janë shumë pak. Në pazarin e Krujës, aty ku bëhet edhe tregu më i madh i sixhadeve dhe qilimave, më të vjetrit janë në merak, fëmijët e tyre nuk duan të jenë tregtarë të vegjël, zanatçinj. Shumica e të rinjve sot duan të vazhdojnë Shkenca Politike, Juridik dhe Mjekësi.
Kallajxhiu – Është profesionisti që kallajis enë, sipërfaqe dhe objekte të përdorimit të përditshëm, por edhe për efekte stolisëse
Furrxhiu – Është zanatçiu që punon në furrë, kujdeset për pajisjen, pjek tava dhe tepsi me ushqime, ëmbëlsira. Gjatë procesit edhe mund t’i djegë
Bakërpunuesi – Është profesioni i atij specialisti që punon bakrin, që njeh procesin sesi ta përpunojë atë dhe më pas kujdeset për t’i bërë formën
Lëkurëregjësit – Janë punuesit e lëkurës, që në fillim bëjnë regjjen e produktit për ta sjellë në formën e duhur dhe e bëjnë gati për procesin e përpunimit
Galantier – Galantierët, ata që rregullojnë në galanteritë e tyre çanta, rripa, këpucë e sandale nuk janë më të pranishëm në tregun e zanateve
Detalpunuesi – Makniku primitiv që bën detale të thjeshta me mjete si lima, sharra, hekuri, torno nuk është më i kërkuar. Ky zanat ka humbur
Argjendarët – Artizanët e floririt, argjendit, platinit janë drejt zhdukjes. Tani mund të operojnë vetëm duke ndrequr, por jo për punë të mëdha
Qilimpunuesit – Të fundit që po operojnë në këtë zanat janë profesionistët në qytetin e Krujës. Ata ankohen se fëmijët e tyre nuk dëshirojnë ta trashëgojnë zanatin