Ministria e Jashtme greke njoftoi për bisedën telefonike të dy homologëve dhe takimin e afërt në Athinë
Fatjona Mejdini
Ministria e Jashtme greke në mënyrë zyrtare lajmëroi dje një vizitë zyrtare të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Panariti në Athinë në fillim të muajit shtator me ftesë të homologut grek, Dhimitris Avramopullos. Në një njoftim për shtyp të ministrisë greke theksohet fakti se kryediplomati grek, Avramopullos e telefononi ministrin e ri shqiptar për t’i kërkuar këtë vizitë dhe për të biseduar gjithashtu në lidhje me çështje bilaterale. Por duket se kjo vizitë zyrtare e Panaritit në Greqi do të vendosë për shumë çështje të mbetura pezull mes dy vendeve. Burimet bëjnë të ditur se çështja më e rëndësishme që do të merret në shqyrtim është ajo e ndarjes së ujërave territorialë e mbetur pezull mes dy vendeve. Një tjetër çështje që pritet të diskutohet është dhe ajo e regjistrimit të popullsisë greke që jeton në Shqipëri, pas refuzimit që ky minoritet i bëri censusit zyrtar të zhvilluar në Shqipëri në fundin e vitit të shkuar. Kjo vizitë pritet të vendoset dhe kursin që do të ndjekë pala shqiptare për sa u përket marrëdhënieve në Greqi, në një kohë kur vetëm pak muaj më parë u konstitua dhe qeveria e re greke.
Ftesa
Ministria greke ka preferuar ta bëjë publike vizitën që do bëjë Panariti në shtetin fqinj në kuadër të telefonatës së marrë nga homologu i vendit fqinj.
Ministri i Jashtëm grek, Dhimitris Avramopullos, foli sot në telefon me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti. Të dy ministrat diskutuan në lidhje me çështjet bilaterale dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe perspektivën europiane të rajonit tonë. Z. Avramopullos e ftoi z. Panariti për të vizituar Athinën në fillim të muajit shtator”, theksohet se njoftimin për shtyp të publikuar dje. Për sa i përket kësaj telefonate dhe po kështu vizitës së Panaritit nuk ka asnjë njoftim nga ana e Ministrisë së Jashtme shqiptare.
Temat
Vizita e Edmond Panaritit në Athinë që do të zhvillohet me shumë gjasa në javën e parë të muajit shtator, pritet të jetë dhe vizita e parë e një zyrtari të lartë shqiptar në shtetin fqinj pas konstituimit të qeverisë së re greke. Kjo vizitë ka një domethënie të veçantë dhe për shkak të faktit se mes dy vendeve ka ngelur pezull çështje e ndarjes së ujërave territorialë, si pasojë e një vendimi të marrë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Pavarësisht faktit se për këtë çështje Ministria e Jashtme shqiptare ka deklaruar se grupet e punës mes dy shteteve po punojnë për të rikompozuar një marrëveshje të re, diplomatët grekë në deklaratat e tyre kanë bërë të qartë faktin se nga shteti fqinj nuk do të pranohet një marrëveshje e re. Kjo çështje me rëndësi të veçantë e mbetur pezull mes dy vendeve pritet të jetë në thelb të bisedës së dy ministrave, nisur dhe nga fakti se pala greke kërkon mbylljen sa më shpejt të kësaj çështjeje. Një çështje që pritet të diskutohet gjithashtu mes palëve lidhet me regjistrimin e minoritetit grek në Shqipëri, ku pala greke ka shprehur kontestime të shumta. Kjo ka bërë që pak javë më parë krerët e OMONIA-s të deklaronin se do të nisin procesin e regjistrimit të popullsisë së tyre, nisur nga besimi i pakët që kishin në lidhje me censusin kombëtar. Nuk dihet ende sesi do të shkojë ky proces, për të cilin është deklaruar se do nisë në muajin shtator dhe do të përfundojë në dhjetor të këtij viti. Por ajo që dihet me saktësi lidhet me faktin se pas këtij takimi, do të qartësohet dhe kursi i ri i diplomacisë shqiptare ndaj asaj greke.
Misteri
Ministri Panariti ashtu si dhe paraardhësi i tij, Haxhinasto, i pyetur për marrëveshjen e ujërave me Greqinë, ka deklaruar se janë ngritur grupet e reja të punës që po punohet, por pa dhënë asnjë rezultat konkret
Detaje
- Ministri i ri i Jashtëm, Panariti, e zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Itali, ku zhvilloi një vizitë me homologun, Xhulio Terzi.
- Vizita e dytë zyrtare e Panarit si kryediplomat i Shqipërisë ishte në Kosovë, ku ministri shqiptar zhvilloi takime të shumta.
- Me shumë gjasa vizita e tretë e ministrit të ri të Jashtëm do të jetë në Athinë, ku do të diskutohet dhe për bashkëpunimin rajonal.
- Shqipëria prej muajt korrik të këtij viti ka marrë për herë të parë kryesinë e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.
Pasha: Rinegocimi, gënjeshtër e radhës
Profesor Myslym Pasha, njëkohësisht sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Kuq e Zi nuk beson se Shqipëria do ta përfitojë mbrapsht detin që ju dha Greqisë nga marrëveshja e ndarjes së ujërave në vitin 2009. Në një intervistë për “Shqip”, dy ditë më parë koloneli i cili u bë zëri më i fortë në vend kundër marrëveshjes që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare shprehet se ka pak besim në rinegocimin e saj dhe në tërheqjen e palës greke. Sipas tij, për sa kohë në drejtimin e vendit të jetë Kryeministri Berisha, marrëveshja për ndarjen e ujit do të jetë e njëjta dhe historia e grupeve të punës për krijimin e një marrëveshjeje të re do të jetë vetëm një gënjeshtër e radhës.