PD, Bardhi: Lideri i PS ka frikë nga drejtësia, referendumi do të realizohet


BLEDAR HOTI


Lideri i opozitës, Edi Rama, ka deklaruar ndaj deklaratës së bërë nga PD-ja për çështjen e imunitetit. Rama ka ftuar Kryeministrin Sali Berisha ta hetojë atë dhe t’i faktojë akuzat e lëshuara në adresë të tij. “Vazhdon tallja me shqiptarët! Një propozim publik për Kryeministrin: Ja ku jam unë pa imunitet, vërteto një akuzë të vetme në mijëra që ke bërë ndaj meje! Asnjë vend normal s’do ta pranonte një ditë të vetme për Kryeministër një shpifës që çdo ditë ngre akuza në hava ndaj opozitës e s’vërteton dot asnjë!


Asnjë provë nuk ka Kryeministri as për tërë atë lumë akuzash ndaj deputetëve të PS-së që vijnë nga bota e sipërmarrjes! Imuniteti s’ka lidhje në këtë mes”, shkruan Rama në “Twitter”. Prej ditësh PD-ja po sulmon opozitën si shkaktare të bllokimit të heqjes së imunitetit, duke e lidhur me faktin e pasurive të disa prej deputetëve të opozitës. “Dy ditë më parë në një takim me të rinjtë eurosocialistë në Jalë, ish-kryeministri Pandeli Majko zbuloi para shqiptarëve shkakun e vërtetë të bllokimit më datë 6 gusht nga z. Edi Rama të heqjes së imunitetit dhe bllokimit të statusit të vendit kandidat. Pyetjes së njërit prej të rinjve se përse Partia Socialiste bllokoi më datë 6 gusht heqjen e imunitetit dhe statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, z. Majko iu përgjigj troç se: Partia Socialiste nuk mund të pranojë heqjen e imunitetit për faktin se këtë e pranojnë ministrat të cilët, sipas tij, paskan të tyre gjykatësit dhe prokurorët. Me një fjalë, zoti Majko pohoi publikisht dhe haptas se është frika e z. Rama dhe deputetëve socialistë nga drejtësia, ligji dhe zbatimi i tij, shkaku themelor i bllokimit nga ana e tyre e heqjes së imunitetit dhe të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, tha dje zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi. Më tej, ajo theksoi se “me deklaratën e tij në Jalë, z. Majko dëshmon se negociatat e fundit PD-PS, në të cilat Partia Demokratike pranoi të gjitha propozimet e Partisë Socialiste të paraqitura nga vetë z. Majko, ishin thjesht një farsë hipokrite e z. Edi Rama për të mashtruar opinionin publik dhe asgjë më tepër. Pohimi i hapur i z. Majko para të rinjve socialistë, fakton në mënyrë të qartë se z. Rama nuk kishte kurrë ndërmend të hiqte imunitetin në shtator si deklaroi dhjetëra herë para datës 6 gusht, por vetëm sa u përpoq që me mashtrimin e radhës të mbulonte sadopak aktin e shëmtuar të bllokimit nga ai personalisht, për të tretin vit me radhë të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”. “Partia Demokratike deklaron edhe një herë publikisht se asgjë nuk do të mund të bllokojë të drejtën e qytetarëve të lirë shqiptarë për të zhveshur me votën e tyre zyrtarët e këtij vendi nga imuniteti, maska dhe mburoja e zezë e pasurimit të tyre të paligjshëm”, tha Bardhi.


 


Rama


Ja ku jam unë pa imunitet, vërteto një akuzë të vetme në mijëra që ke bërë ndaj meje! Asnjë vend normal s’do ta pranonte një ditë të vetme për Kryeministër një shpifës që çdo ditë ngre akuza në hava ndaj opozitës e s’vërteton dot asnjë.


 


 


Ish-kryeministri reagon ndaj qëndrimit të demokratëve


Majko: PD humor gushti, nga kopshti zoologjik i politikës


Ish-kryeministri Pandeli Majko ka reaguar ndaj qëndrimit të mbajtur nga PD-ja, e cila e ka përmendur atë në lidhje me çështjen e imunitetit. Nëpërmjet faqes sociale “Facebook”, socialisti Majko shprehet se opozita është pro heqjes së imunitetit, e se kjo histori po kthehet në një zhurmë, për të tërhequr vëmendjen popullit nga hallet që kanë.


Deklarata


“Tri ditë pas takimit që pata në Jalë me anëtarët e FRESSH-it, Partia Demokratike ka dalë me deklaratë zyrtare. Ajo shpjegon se çfarë u kam thënë miqve të mi eurosocialistë dhe pse PS nuk do të pranojë heqjen e imuniteteve…(!?) Ka kohë që linja zyrtare e qeverisë merr përsipër të shpjegojë se çfarë thonë dhe ‘mendojnë’ përfaqësuesit e opozitës. Ky humor gushti nuk i shërben askujt dhe për asgjë, veç pushuesve kuriozë për ‘hungërimat nga kopshti zoologjik’ i politikës në Shqipëri! Debati për imunitetin nuk është debati që do të verifikojë ‘ndershmërinë’ e politikës. ‘Ndarja’ që i ka bërë kësaj historie linja zyrtare e PD është se kush ka “frikë” nga heqja e imuniteteve është i pandershëm?!… Dhe kush është ‘trim’ është i ndershëm. Qëndrimi ‘Pro’ ndryshimeve kushtetuese ‘për imunitetet’ asnjëherë nuk është vënë në dyshim nga Partia Socialiste apo dikush brenda saj. Të tjerat janë fjalë, për ‘eja bëjmë sikur zihemi’ për ndershmërinë e politikës. Kjo histori po kthehet në atë për çfarë u nis. Ajo është kthyer në një fushatë zhurme dhe tërheqje të vëmendjes nga problemet reale me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare. Në respekt të shumë njerëzve që besojnë me votë tek e djathta në pushtet vlerësoj se kush i beson logjikës së shprehur nga PD duhet ta mirëkuptojë deri në fund atë që kjo parti i ofron publikut. Është ironike se si një parti që qeveris vendin prej shtatë vitesh të ofrojë nivel kaq diletant në trajtimin e çështjeve serioze si ai ‘i imuniteteve’ dhe ‘antikorrupsionit’…Padyshim, kjo deklaratë flet ‘shumë’ dhe jo vetëm për këtë çështje!”.