Martesat me diferencë të madhe moshe nga Murdoch tek Woody Allen. A funksionojnë vërtet këto lidhje? Në moshën 82-vjeçare financieri amerikan do të martohet me Tamiko Bolton, 40 vjeçe. Lajmi është bërë i ditur gjatë festës së ditëlindjes së George, i cili mban mbi shpatulla dy martesa dhe pesë fëmijë. Për nusen kjo është “Po”-ja e dytë


Duket se martesat me diferencë të madhe moshe kanë filluar të jenë shumë në modë së fundmi. Kjo i ka ndodhur edhe financierit amerikan George Soros, 82 vjeç, i cili ka festuar ditëlindjen para dy ditësh në vilën e tij në Southampton, Long Island (Nju Jork). Me këtë rast ai ka bërë të ditur njëkohësisht zyrtarizimin e lidhjes, si dhe martesën e ardhshme me Tamiko Bolton, 40 vjeçe. Lajmi është bërë i ditur nga një burim i afërm i miliarderit. Çifti ka deklaruar se do të martohet së shpejti dhe të ftuar do të jenë një grup i ngushtë miqsh dhe disa familjarë. Mesa duket Soros i ka propozuar Bolton para disa ditësh, të cilën e njeh prej vitit 2008. Kjo do të jetë martesa e tretë për financierin, që ka pesë fëmijë nga lidhjet e mëparshme dhe e dyta për Bolton.


Të martohesh në moshën 82-vjeçare me një grua 40 vjet më të re, duke pasur një pasuri më të madhe se 22 miliardë dollarë, mund të duket paksa e çuditshme. Kjo mund të jetë historia e dashurisë më lirike, pasionante dhe më pa interes në botë, po kush e di përse, në këto raste njerëzit (mos flasim pastaj për familjarët) përqendrohen më shumë te llogaritë sesa te romantizmi. Shembulli konkret i këtij fenomeni është financieri amerikan me origjinë hungareze, George Soros, i cili mban vendin e shtatë në klasifikimin e njerëzve më të pasur të Amerikës.


Lajmi i fejesës së Soros me Tamiko Bolton u bë i ditur nga “New York Post“. Tamiko është një grua e afirmuar në botën e biznesit, sidomos në fushën e “jetës së shëndetshme” (ushqim, vitamina, joga). Bolton, bijë e një infermiereje me origjinë japoneze dhe e një kaliforniani komandant anijesh, ka marrë nga financieri, i cili ka pesë fëmijë dhe do të martohet për herë të tretë, një unazë prej floriri dhe platini me një gurë diamanti, si dhe një propozim martese, ceremoni që do të zhvillohet në vilën e Southampton në Long Island (Nju Jork).


Për sa i përket kontratës paramartesore, e cila tashmë dihet që është diçka klasike në rastin e çifteve të dashuruara, sidomos kur njëri është shumë më i pasur se tjetri, avokati i Sorosit ka thënë se klienti i tij kishte vendosur prej kohësh që pjesën më të madhe të pasurisë do ta linte për bamirësi, por tani do t’ia kalojë të shoqes.


Dy ish-gratë e tjera (e dyta ishte vetëm 25 vjet më e re se ai) i kishin siguruar më parë, madje pa asnjë lloj problemi, ndryshe nga ç’i ndodhi vitin e kaluar aktores 28-vjeçare braziliane Adriana Ferreyr, që pasi u nda me të i kërkoi 50 milionë dollarë kompensim për një apartament që i kishte premtuar, por që asnjëherë vajza nuk e kishte marrë. Natyrisht që këto janë keqkuptimet e dashurisë!


Duhet theksuar se jo gjithmonë këto lloj lidhjesh zgjerojnë familjet, siç ndodhi për shembull me manjatin e TV-së, Rupert Murdoch, i cili pasi u martua me kinezen Wendi Deng (37 vjet më e re) u bë baba në moshën 70 dhe 73-vjeçare; apo figura të tjera si Flavio Briatore dhe Sergio Cofferati, të cilët janë martuar me gra përkatësisht 30 dhe 27 vjeçe. Megjithatë, pyetja që bëjnë të gjithë është: a funksionojnë këto histori? Disa po, të tjera më pak. Shumë bujë ka bërë skandali i arratisjes së Woody Allen me Soon Yi, vajzën e adoptuar të ish-gruas së tij, e cila është 35 vjet më e vogël. Çdo të thotë kjo? Vërtet gjërat kanë ndryshuar po kaq sa dhe diferenca e madhe e moshës mes dy partnerëve? Diçka është e sigurt: për të gjithë zgjedhja mbetet personale.


 


Detaje


22 miliardë


Është trashëgimia personale e George Soros, 82 vjeç, financier, njeriu i shtatë më i pasur i Amerikës sipas revistës “Forbes”. Soros ka pesë fëmijë nga dy martesat e mëparshme. Në vitin 1960 u martua me Annaliese Witschak, me të cilën u nda më 1983-n. Po atë vit u martua me Susan Weber, prej së cilës u nda më 2005-n


 


Foto kujtim


Një prej fotografive zyrtare të fejesës mes George Soros, 82 vjeç, dhe Tamiko Bolton, 40 vjeçe. Ajo është bijë e një infermiereje japoneze dhe e një kaliforniani komandant anijesh. Punon si këshilltare në fushën e ushqimit dhe arsimimit