Adoleshentja vrasëse pati qenë 14 vjeç kur u dhunua për herë të parë nga i vrari
Nëse Prokuroria dhe Policia do të kishin hetuar siç duhet rastin e ikjes se Nazime Vishës, në atë kohë ende pa mbushur 18 vjeç, atëherë do të ishte parandaluar një vrasje dhe do të ishte zbuluar një skandal pedofilie.
Kjo është deklarata e avokates së caktuar nga shteti për të mbrojtur adoleshenten, e cila është në pritje të daljes para gjykatës për akuzën e vrasjes me dashje. Avokatja Vjollca Pustina deklaron se Nazime Visha është abuzuar seksualisht që pa hyrë në klasën e tetë ose thënë ndryshe, ende pa mbushur 14 vjeç.
“Vajza ka deklaruar se kur ka qëndruar me viktimën në një pyll të Bulqizës është dhunuar sistematikisht 11 ditë. Mendoj se ka patur vend për të bërë hetime dhe për të zbuluar më mirë këtë të vërtetë. Nëse do të kishin qenë hetime më të thella dhe më këmbëngulëse nga policia ndoshta kjo ngjarje do të ishte parandaluar dhe ndoshta do të ishte zbuluar edhe një skandal pedofilie. Fakti i tregon që një burrë në atë moshë të abuzojë me një fëmijë që ende nuk i kishte mbushur 14 vjeç, Kodi Penal i dënon marrëdhëniet seksuale me të mitura”, tha Pustina.
Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se vajza e ka qëlluar Fiqiri Muçën, 45 vjeç, baba i pesë fëmijëve, pesë herë, ndërsa gjatë ndjekjes së tij deri sa e ka vrare ajo ka zbrazur plot 29 plumba kallashikovi.
E përditshmja “Panorama” publikoi të mërkurën nje sere mesazhesh telefonike qe vajza i dergonte viktimes dhe qe tregonin per nje lidhje te vullnetshme mes tyre. Megjithatë avokatja këmbëngul se ajo është viktimë e abuzimit.
Sipas saj, afeksionimi pas dhunuesit është një sindromë, që njihet botërisht nga psikologet, si sindroma e Stokholmit. Megjithatë ajo sugjeron që më shumë se me mesazhet, hetimet duhet të merren me faktin se përse nuk është hetuar rasti i denoncuar nga vajza si rrëmbim.
“Realisht mesazhet kanë dalë të dërguar nga një numër telefoni me numrat e fundit 668. Unë kam kontaktuar me familjarët dhe ata thonë që vajza nuk ka patur celular. Së fundmi mësohet se viktima kishte patur dy telefona dhe i kishte dhënë edhe një telefon vajzës për përdorim. Janë shkuar nga ajo, janë shkruar nën kërcënimin e vazhdueshëm të viktimës, kjo mbetet për t’u parë. Viktima e kishte kërcënuar me vrasje vajzën, me vrasje të familjarëve të saj. Nuk duhet të harrojmë edhe kushtet në të cilat jetonin, nivelit arsimor, kulturor, vendin ku ata jetojnë”, thotë avokatja.
Avokatja thotë se ka prova qe viktima ka shkuar dhe e ka marrë me dhunë edhe në shkollë të miturën, duke hedhur poshtë një lidhje normale mes një vazje dhe një burri, por një viktime dhe një dhunuesi. Pas ikjes apo rrëmbimit nga Fiqiri Muça, Nazime Visha nuk u kthye në banesë dhe nuk u pranua me nga prindërit e saj në fshatin Malvilëz i Tiranës, familje që jeton në kushte të mjerimit.
Marrë nga TCH