Lika – Gazeta “Shqip” publikoi lajmin se shefi i shërbimeve sekrete mban dy shtetësi, shqiptare dhe kanadeze. Kjo është hera e parë që një shef i shërbimit sekret shqiptar caktohet me dy nënshtetësi. Lika ka punuar më parë në SHISH, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Gazidede


9 gusht – Presidenti Nishani firmosi propozimin e Kryeministrit Berisha për shkarkimin e Shaqirit dhe të emërimit të Visho Ajazi Likës në krye të SHISH-it


SHBA – Ambasada amerikane u shpreh se ishte e befasuar nga një veprim i tillë dhe se nuk është kryer në momentin e duhur. Arvizu shmangu komentet publike


Ish-presidenti


“Duhen njerëz që dinë ta ruajnë pavarësinë e institucionit”


BLEDAR HOTI


Ish-presidenti Alfred Moisiu shprehet se caktimi në krye të SHISH-it i Visho Likës, një person që mund të ketë dy nënshtetësi, bie ndesh me interesat kombëtare. “Problemi kryesor është njëlloj sikur të marrësh një person të huaj dhe t’i japësh nënshtetësi shqiptare dhe ta vësh në një detyrë të tillë. Këto gjëra kanë ndodhur në kohën e mbretit Zog. Kemi pasur komandantin e Xhandarmërisë, një person me shtetësi britanike. Por në një shtet të pavarur dhe demokratik nuk kanë pse të ndodhin gjëra të tilla, nuk është se te ne mungojnë njerëzit. Nuk e di se pse është marrë një vendim i tillë, nuk e kuptoj se cilat janë arsyet. Nuk e njoh fare kreun e ri të SHISH-it, pa e njohur fare, them se nuk është një vendim i drejtë dhe në përputhje me interesat kombëtare”, tha Moisiu për “Vizion+”. Ish-kreu i shtetit thekson se Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të ketë pavarësinë në punën e tij. Një pavarësi e tillë, sipas Moisiut, i ka munguar këtij institucioni. “Duhen njerëz që vërtet kanë pavarësi dhe që mund ta ruajnë këtë pavarësi nga politika, sepse ky institucion, SHISH-i, ka vuajtur nga kjo gjë. Ka vuajtur në vitin 1992-1997, u politizua SHIK, institucioni nuk merrej me detyrat e përcaktuara nga ligji, por kryesisht duke ndjekur opozitën dhe njerëzit që Berisha i quante se janë në kundërshtim me parimet dhe kërkesat e tij. Pra këtu duhej të bëhej shumë kujdes, prandaj ai shërbim merrej me politikën dhe jo me çështjen e sigurisë kombëtare. Në atë kohë janë kryer disa gjëra, siç është puna e Remzi Hoxhës, për të cilin ende nuk dihet fati i tij”, theksoi Moisiu. Ish-presidenti, në qëndrimet e mëparshme, e ka cilësuar si të befasishëm ndryshimin e kreut të SHISH-it.


Kryeagjenti kanadez


Gazeta “Shqip” publikoi faktin se Visho Lika mund të gëzojë nënshtetësinë kanadeze, pasi ka jetuar për 12 vite në Kanada. Ligjet e shtetit e detyrojnë që të shërbejë me besnikëri ndaj Kanadasë. “Betohem (ose pohoj) se unë do të jem përkrahës dhe do t’i tregoj besnikërinë e vërtetë Madhërisë së saj, Mbretëreshës Elizabetë II, Mbretëresha e Kanadasë, trashëgimtarëve dhe pasardhësve të saj, dhe se unë me besnikëri do të respektoj ligjet e Kanadasë dhe do të përmbush detyrat e mia si qytetar kanadez”, thuhet në formulën e betimit të shtetit kanadez. Kjo shihet si diçka e paprecedentë, pasi për herë të parë një person me dy shtetësi drejton shërbimin sekret shqiptar. Për ish-drejtorin e SHISH, Fatos Klosi, ligji e përcakton qartë se “qoftë edhe për një nënoficer të SHISH, nëse ka qëndruar jashtë Shqipërisë me ditë, praktika parashikon që të kërkohet informacion nga Interpoli”.


Premtimi i Likës


Faqja ueb e SHISH-it i është nënshtruar një ristrukturimi. Kjo duket dhe në faktin se është ndërruar dhe fotoja e shefit të SHISH, duke vendosur një aktuale. Ndërsa janë shtuar lidhjet e reja si linke, Presidenca, Kuvendi, Kryeministria, Gjykata Kushtetuese, Ministria e Brendshme, Gjykata e Lartë. “Faqja jonë iu nënshtrua një zhvillimi të ri në organizim dhe design, duke e bërë atë më funksionale”, thuhet në faqen zyrtare. Lika në CV-në e tij përfshin faktin se ka punuar më parë në shërbimin sekret shqiptar, SHIK. Në këtë CV, kryeagjenti jep garancinë se do të zbatojë me fanatizëm ligjin, duke nënkuptuar pavarësinë e këtij institucioni. “Përvoja e gjatë e punës në ekip dhe aftësitë drejtuese të tij janë një garanci se drejtimi i ardhshëm i këtij institucioni do të jetë një vlerë e shtuar në detyrat e tij veçanërisht të rëndësishme në funksion të Sigurisë Kombëtare dhe detyrave të tjera kushtetuese dhe ligjore. Z. Visho Ajazi Lika është drejtues i fokusuar në përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit, në përmirësimin e punës në grup, promovimin e karrierës në institucion dhe në pengimin e çdo tentative për të dalë jashtë kuadrit ligjor, të cilit SHISH duhet t’i përmbahet me fanatizëm”, thuhet më tej në CV-në e Likës.