Hamdi Salihi rikthehet në Kombëtare pas 5 muajsh dhe kërkon një ekip të bashkuar
Hamdi Salihi është rikthyer pas një mungese prej 5 muajsh, kohë të cilën e ka kaluar në radhët e skuadrës amerikane D.C. Junajtid, ku po kalon një formë të mirë. “Të luash për ekipin Kombëtar, të takosh djemtë e tjerë, të jesh pranë tifozëve është gjithmonë e njëjta kënaqësi e mrekullueshme, rrëfen emocionet sulmuesi shkodran. Unë vij gjithmonë me kënaqësi. Jam krenar që jam pjesë e grupit dhe e Kombëtares. I falënderoj të gjithë për besimin që kanë treguar ndaj meje, pasi më kanë thirrur gjithmonë, pavarësisht se ku kam luajtur, apo si ka qenë ecuria ime. Për sa i përket skuadrës, ajo nuk duhet ndarë në individë, që ky lojtar është për të shënuar dhe një tjetër për të mos lejuar pësimin e golave. Ekipin duhet ta shohim sesi ai funksionon në fazën sulmuese dhe mbrojtëse. Nëse i kryejmë të gjitha detyrat mirë si ekip, të gjithë bashkë, atëherë besoj se do të arrijmë të kemi më shumë sukses”. Kjo është hera e tij e parë që do të vendoset në dispozicion të trajnerit Xhani de Biazi. Nga seanca e parë stërvitore, Salihi ka kuptuar se ndryshe nga trajnerët paraardhës, që ai ka pasur në përfaqësuese, italiani nuk mjaftohet vetëm me kurajën. “Sigurisht që kur vjen një trajner i ri, të gjithë presin se çfarë ndryshimi dhe të reja do të sjellë ai. Trajneri ka stilin e tij, është italian dhe është i përqendruar te taktika, dhe jo shumë te zemra në fushë, siç e kemi pasur më parë ne. Gjithsesi, them se zemra nuk mjafton për ta kaluar me sukses ndeshjen, nëse nuk e shoqëron atë me taktikën”. Amerika është konsideruar si “toka e premtuar” për të. Por Salihi nuk e shikon ashtu. “Nuk u transferova në Shtetet e Bashkuara për të gjetur ‘tokën e premtuar’, por për të luajtur futboll dhe për të shfrytëzuar një ofertë që më erdhi në atë periudhë jo të mirë që po kaloja. Deri tani, gjërat kanë shkuar ashtu siç i kisha menduar. Po ecin shumë mirë, pavarësisht largësisë, distancës me familjen”, përfundoi Hamdi Salihi.
Thirrja
Sulmuesi shqiptar e DC Junajtid, Hamdi Salihi: Nëse i kryejmë të gjitha detyrat mirë si ekip, të gjithë bashkë, atëherë besoj se do të arrijmë të kemi më shumë sukses