Shifrat
Gjatë viteve 2010-2011, jetesa e pjesës më të varfër të shqiptarëve nuk u përmirësua
Pensionet në Shqipëri kanë pësuar një rritje reale minimale gjatë dy viteve të fundit, për shkak të vështirësive financiare të qeverisë të shkaktuara nga kriza. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e reja të publikuara nga Instituti i Statistikave. Në fund të vitit 2011, pensioni mesatar për zonat urbane qe pak më shumë se 13 mijë lekë, (rreth 97 euro) ndërsa pensioni mesatar në fshat ishte 7,800 lekë, (rreth 57 euro).
Rritja e kryer gjatë vitit 2011 nga ana e qeverisë mjaftoi vetëm për të mbuluar rritjen e përgjithshme të çmimeve në ekonomi. Rritja reale e deflatuar përkundrejt Indeksit të Çmimeve të Konsumit ishte vetëm 1 për qind ndërsa nëse deflatohet me indeksin e çmimeve të ushqimeve, vërehet rënie reale prej 0.7 përqindësh. Pensionet në Shqipëri u rritën në mënyrë të vazhdueshme gjatë dekadës së fundit, ndonëse rritja nisi nga një nivel qesharak. Por rritja e fundit e konsiderueshme ndodhi para zgjedhjeve të vitit 2009. As për vitin 2012 nuk ka pasur dhe as nuk pritet të ketë rritje, por të dhënat tregojnë se qeveritë e ndryshme kanë qenë gjithmonë më “dorëlëshuara” me pensionistët në vitet zgjedhore, pra ka njëfarë shprese për rritje vitin e ardhshëm.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritjet më të mëdha për pensionet e qytetit dhe të fshatit janë bërë në vitet 2001 dhe 2005. Pensionet e qytetit janë rritur përkatësisht 14 dhe 11.5 për qind ndërsa në vitin 2009, pavarësisht vështirësive të krizës, qeveria bëri një rritje të konsiderueshme prej 10 përqindësh.
Gj. Erebara