Policia
Operacioni
Një çift nga Komuna e Lazaratit janë arrestuar për kultivim të lëndëve narkotike, pasi u janë gjetur e sekuestruar rreth 200 bimë kanabis. Forcat e Policisë së Drejtorisë së Gjirokastrës, të mbështetura nga FNSH, kanë arrestuar burrë e grua, ndërkohë që bashkëshortja ishte në kërkim pasi më parë ishte dënuar me vendim të formës së prerë me tre vite burg po për kultivim kanabisi. Operacioni i policisë nisi herët në mëngjes në një lagje periferike të fshatit të Lazaratit në banesën e familjes Basha. Policia kishte marrë informacione se në territorin e banesës së shtetasit Zenel Basha në fshatin Lazarat, në lagjen “Bregu i Spillos” ishin kultivuar bimë kanabis, të maskuara rreth e qark me misër, si dhe të rrethuar me mure të larta. Pasi është shembur muri rrethues më një mjet të blinduar, është konstatua se në bahçen e kësaj familjeje ishin mbjellë 118 bimë kanabis, të cilat varionin nga 180 centimetra deri në 2 metra të larta, si dhe rreth 82 bimë, që ishin nga 70 deri në 90 centimetra të larta. Një pjesë e bimëve narkotike janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër është asgjësuar pas këqyrjes nga grupi hetimor. Në momentin e kontrollit nga ana e policisë, në banesë janë gjetur shtetasit Zenel Basha si dhe bashkëshortja e tij, Merita Basha, të cilët janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprime të mëtejshme. “Merita Basha ishte e shpallur në kërkim nga ana jonë pasi është e dënuar me vendim të formës së prerë nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Gjirokastrës me 3 vite burg për kultivim të kanabisit. Sipas policisë, edhe në momentin e arrestimit, gruaja ka tentuar të marrë fajin përsipër, por kjo nuk ka sjellë lirinë e burrit të saj, i cili edhe ai është arrestuar për kultivim të lëndëve narkotike. Ç. J.