ARTAN MULLAJ


Pyje të shkatërruara. Masive plehrash në çdo kilometër. Fytyra të ngrira prej brishtësisë së munguar në komunikim. Kjo është përshtypja e parë. Një turisti të huaj, që hyn në Shqipëri, i duhet të përballojë habinë, por edhe burokracinë poshtëruese që ofron ky vend nga fillimi në fund: I huaji do të filtrohet nga doganierë “historikë e histerikë” dhe nga policë shpesh pa përvojë dhe pa autoritet, sapo të shkelë tokën tonë. Në hyrje, në kufi, plehra, makina të parkuara keq, zyra sigurimesh e qebaptore, ngjitur njëra me tjetrën, janë të afta njëlloj sa luginat e shëmtuara pa pemë dhe gjelbërim, të stisin një furi dëshpërimi te çdo vizitor. Peizazhi kufitar ngjan si i prerë me thikë.


Turistit do t’i duhet të shtrëngojë dhëmbët që t’i bëjë ballë përshtypjes shokuese se ndryshimi është tërësor. Duke hyrë në Shqipëri, kufiri që ndan dhimbshëm parajsën ekologjike të vendit të huaj me mallkimin e gjelbër që ndien sapo shkel në tokën shqiptare, është i dukshëm. Mbrapa mbretëron paqja me Zotin, këtej sundon pisllëku, shërbimi i vrazhdë i autoriteteve, gjeografia e thatë, kërcurët e prerë, natyra e sakatuar dhe mizerja. 
Udhëtimi pastaj në rrugën kombëtare të Shqipërisë, që është një rrugë e re dhe e mirëmbajtur vetëm në statistika, i ofrojnë vizitorit imazhe nostalgjie. Fshatrat e përbaltur kufitarë dhe fshatrat në thellësi të territorit shquhen për vlerë antike. Janë si ato pikturat bardhezi të shekullit të kaluar me vrazhdësi feudale. Edhe klima, edhe atmosfera, edhe pështjellimi i jetës në ambientet e tyre të varfra, të gjitha vijnë erë vjetërsi, megjithëse makina luksoze me shoferë gladiatorë fishkëllejnë rrotat e tyre në të gjitha drejtimet. 
Në këto peizazhe, pemët anësore janë prerë prej kohësh, plehrat shoqërojnë udhëtarët komfortësisht, me një këmbëngulje tradicionale, ndërsa postblloqet e policëve rrugorë, si një stres, por jo si një përjashtim, janë aty, në këmbë, në çdo kohë, në çdo kilometër.


 


***


Një vizitor perëndimor që hyn nga Dogana e Kapshticës apo nga çdo doganë historimadhe e vendit dhe udhëton drejt kryeqytetit, e ka të pamundur të kuptojë maskaradën ekologjike dhe masivët e plehrave në këtë vend. Vështirë të kuptojnë edhe mënyrën se si funksionojnë në detyrë policët që përfaqësojnë shërbimin rrugor shtetëror. Vizitori do të përballet me kundërlogjikën e detyrës së tyre: Jo rrallë, një pjesë e mirë e policëve rrugorë, thjesht, qartë, shkoqur, natyrshëm, por edhe paturpësisht, vjedhin e abuzojnë në rrugë, pa u kujdesur fare të fshehin babëzinë e përfitimit, që edukon zakonisht të qenët në pushtet.
 Shumë nga këta policë janë barkmëdhenj ose mendjemëdhenj dhe postbllokojnë nëpër rrugët shqiptare, në hyrje dhe në dalje të çdo qyteti, duke ecur me koketerinë e grave me barrë, ndërsa tunden me harqe të rrezikshme për shtyllën kurrizore, për të rrezatuar egër pushtetin e detyrës që kanë.


Ky është një aktrim i nevojshëm. “Hija e rëndë” e detyrës, ndihmon për fitime ngazëlluese çdo ditë. Udhëtarët, të huaj ose jo, të cilët përballen shpesh me aktrimin, naivitetin dhe me egoizmin e tyre provincial, nuk e kanë të vështirë të nuhatin se si është ndërtuar ekuacioni korruptiv i vjedhjes: në këta shpirtra të veshur me uniformë, zë fill modeli i abuzimit. Ai model, që i amplifikuar, zbatohet më me finesë në rangjet e larta, në ministri, në institucione, në tenderë, në vjedhje të mëdha. Ky modelim është i njëllojtë. Bazohet në shpërdorimin brutal të pushtetit të madh e të vogël, ndërkohë që, babëzia e të vegjëlve për përfitime është aq më e madhe sa më të vogla janë mundësitë e tyre. Jo pak nëpunës në terren të policisë sonë rrugore, me dashamirësi hajdutësh, i kërcënojnë viktimat e rrugës, duke u shpjeguar se krahasuar me gjobat e ligjshme ndaj shkeljeve të bëra, (të cilat shkojnë në llogari të shtetit), dhuratat nën dorë për xhepat e tyre janë dyfish ose trefish më të ulëta…


Lëkundin trupat pa muskuj dhe ecin ngadalë, me një autoritet të neveritshëm, që buron nga terrori spontan i lekëve që ata do grumbullojnë patjetër përditë nga udhëtarët e thjeshtë, nga emigrantët dhe nga të huajt. Edhe pse të grabisin në dritën e diellit, të vështrojnë shpërfillshëm, me sy naivë, me fytyra të lyrosura nga gostitë dhe alkooli, me të cilat e shpërblejnë veten çdo ditë. Fodullë të gjithë, pa përjashtim, këta janë fytyra e shtetit, fytyra e rebeluar e një shteti të kapur, të menaxhuar keq. Autoriteti i shpifur dhe kultura ekskluzive dhe ekzekutive e pushtetit në teren!


Këta njerëz janë stres psikologjik në çdo kilometër për këdo. Emocione negative dhe shpërdorues të dinjitetit. Kush ka jetuar e udhëtuar në Europë, por edhe në Ballkan, krahasimin e ka fare të lehtë: e di se policisë sonë rrugore i mungon jo vetëm ndershmëria, ndjeshmëria dhe autoriteti profesional, që të tjerët, të huajt, e kanë moton e detyrës publike që bëjnë. Diferenca është kaq e shqartër sa i kobshëm është edhe ndryshimi i natyrës: Parajsa andej, ferri këtej.


Çfarë janë? Hajdutë të babëzitur, mediokër dhe ordinerë, që rrëmbejnë qindarkat e vështira nga xhepat e qytetarëve të varfër e të mërzitur me shtetin e tyre. Natyrisht, nuk janë të gjithë të tillë, hajdutë e mediokër. Mbase janë pakica, kushedi. Por gjithsesi, ashtu si fryti i kalbur në shportë, prishin tërësisht imazhin.


Nuk është vetëm babëzia dhe vetëm mediokriteti. Kjo pjesë e konsiderueshme e njësive të policisë rrugore, që ka çmeritur edhe përshtypjet e vendasve dhe të huajve, është edhe vetë jo rrallë shkelëse e Kodit ndërkombëtar Rrugor. Ndodh që policët rrugorë tundin tabelat ndaluese për të provokuar shoferët që afrohen në postbllok, dhe shpesh, jashtë çdo rregulli, i ndalojnë ata në metrin e fundit.


Duke sfiduar gjithashtu rregulloren, fshihen nëpër kthesa, mbas ferrave, për të kapur sa më shumë “viktima”. Por nëse i paguan nën dorë, nuk janë aspak të rrezikshëm. Përkundrazi. Dinë edhe të buzëqeshin.


Arinj polarë të pushtetit rrugor mbi qytetarët e thjeshtë, dhe mbi të huajt, kanë sakaq anën e errët të “hënës së tyre”. Fodullëku i këtyre njerëzve shndërrohet sakaq në një servilizëm të mjerë, për një polarizim të rrezikshëm, pasi pafuqia dhe nënshtrimi ndaj shefave të tyre shndërrohet aq më shumë në egërsi hakmarrëse për të tjerët, rrugëtarët e thjeshtë. Dhe shefat e tyre janë natyrisht oficerët institucionalë apo njerëz me imunitet politik, ose mediatik, të cilëve u tremben aq më shumë sa më shumë kartëmonedha kanë futur


padrejtësisht në xhepat e tyre. Por shefat e shefave të rrugës mund të jenë edhe kriminelët e lirë që qarkullojnë me fuoristrada, të cilat askush nuk guxon t’i ndalojë, pasi me ndihmën e shtetit, policia rrugore është një çështje e fshirë nga lista e problemeve të tyre.


 


***


Me pak fjalë, policia rrugore është përfaqësuesja e parë e autoritetit të shtetit shqiptar, fytyra e rrudhur e pushtetit ekzekutiv në Shqipëri. Sepse, pa metaforë, pa anësim, pa ndjeshmëri, pa tendencë e natyrisht pa ndjeshmëri dhe pështjellim surreal, mund të supozohet që një pjesë e këtij shërbimi të shëmtuar, është shëmbëllimi i pastër dhe i derivuar i shtetit te ne.