Drejtoria Arsimore: Shumë nxënës, pak mësues. Zv/ministrja: Politika të reja rekrutimi
Stafet pedagogjike në vend janë të njëjtat prej më shumë se 5 vjetësh. Kjo do të thotë se brenda këtyre viteve nuk ka pasur punësime të reja në shkollat parauniversitare, gjimnaze e 9-vjeçare. Të paktën kështu sqarojnë përfaqësuesit zyrtarë të Drejtorisë Arsimore të Tiranës, sipas të cilëve raporti është i zhdrejtë, për shkak se numri i arsimtarëve nuk ka ndryshuar, edhe pse nxënësit janë shtuar. Ndonëse ky fakt evidentohet si problematik, për arsye se numri i mësuesve nuk e përballon fluksin e nxënësve në shkolla, nuk zbardhen shkaqet që pengojnë punësimin e mësuesve të rinj. E megjithatë ky nuk mbetet vetëm shqetësim i drejtorisë arsimore në kryeqytet. Argumentimit të tyre i bashkohet edhe deklarata e zëvendësministres Nora Malaj, e cila thotë se numri i mësuesve që dalin nga auditorët e universiteteve është më i lartë krahasuar me vendet që ofron tregu i punës. Ajo e vë theksin te politikat e reja që duhen ndjekur për rekrutimin e arsimtarëve, ndonëse kjo u takon drejtorive përkatëse të rretheve në vend.
Ligji i ri
Me miratimin e projektligjit të ri për arsimin parauniversitar kanë ndryshuar edhe kriteret për rekrutimin e mësuesve. Kështu, sivjet në përzgjedhjen e tyre rol të rëndësishëm, përveç testimeve që duhet të kryejnë për të provuar njohuritë, do të luajë edhe komuniteti i prindërve.
“Mësuesi i arsimit parashkollor duhet të ketë diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare ‘Bachelor’. Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm, dhe mësuesi i gjimnazit duhet të zotërojë diplomë të ciklit të dytë të studimeve universitare. Mësuesi i shkollave të arsimit profesional, që jep lëndë profesionale, ai i arsimit të orientuar dhe mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit”, thuhet në ligjin e re të arsimit parauniversitar. Në të theksohet se mësuesi i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit, pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar provimin e shtetit. Shpresa Mezini
Studimet universitare
Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm, dhe mësuesi i gjimnazit duhet të zotërojë diplomë të ciklit të dytë
Kushti
Mësuesi i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm emërohet pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar provimin e shtetit
Tekstet shkollore
Më 27 gusht nis shpërndarja në shkolla
Duke nisur nga data 27 gusht, në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të vendit do të nisë shpërndarja e teksteve shkollore.
Të paktën kështu sqaron këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, i cili pohon se nga 27 gushti nxënësit do të mund të blejnë paketat shkollore përkatëse në libraritë e improvizuara në ambientet e brendshme të këtyre institucioneve.
“Janë marrë masat që të nisë menjëherë shpërndarja e librave. Janë shtypur të gjitha në masën 100 për qind, pra nuk ka asnjë mungesë teksti, ndërsa procesi i shpërndarjes është përgjegjësi e botuesve”, sqaroi Kristiqi.