Sot u zhvillua ceremonia e varrimit të ish-liderit të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni dhe personalitetit të madh të politikës dhe jetës shqiptare, Arbën Xhaferi.


Në orën 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë u mbajt një takim përkujtimor, ku u shprehën vlerësimet më të larta për patriotin e madh dhe kontributin që ai dha për çështjen shqiptare në rajon.


Në fjalimin përkujtimor të mbajtur me këtë rast, kreu i PDSH, Menduh Thaçi shprehu vlerësimet për veprën e Xhaferit ndërsa u shpreh:


“Të flasësh për z.Arbën Xhaferi në këto moment të vështira për gjithë ne, mbase është tepër – Për të flet jeta e tij, puna e tij, përkushtimi dhe vizioni që ai kishte për shqiptarët kudo që jetojnë ata.

Dhimbja është shumë e madhe, nuk mund të përshkruhet për familjarët e z.Arbën Xhaferi, për mua si dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë”.


Ndërkohë, kortezhi për përcjelljen e të ndjerit për në banesën e fundit u nis nga qendra e Tetovës në orën 13:30 për në varrezat e qytetit.


Personalitete të larta të jetës politike dhe sociale nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria si  kreu i PS, Edi Rama, deputeti socialist Pandeli Majko, kreu i LSI Ilir Meta, kreu i ‘Vetvendosja’, Albin Kurti, Behgjet Pacollit i AKR etj., merrnin pjesë në ceremoninë e varrimit sot në Tetovë për t’i dhënë lamtumirën e fundit patriotit të madh.


Arbën Xhaferi u nda nga jeta pasditen e djeshme, në moshë 64-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.


16 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)