Krimi i rrugës
25-vjeçari po ngjitej në Qytetin Studenti, kur dy persona e kanë kërcënuar dhe plagosur për varësen
Sipas grupit hetimor, i dëmtuari është përleshur me njërin prej tyre, duke i grisur bluzën
Bledi Gilaj
Grabitjet me armë dhe dhunë në rrugët e kryeqytetit janë rikthyer frikshëm, ndërkohë që një djalë i ri ka mbetur i plagosur, pasi është goditur pas koke. Edhe pse policia e kryeqytetit ka mbi dhjetë ditë që ka kaluar në gjendje të përforcuar, duket se krimi është bërë i pandalshëm, duke sjellë një tjetër ngjarje të rëndë. Krimi ka ndodhur në orët e pasdites, kur një i ri po ngjitej për në Qytetin Studenti në Tiranë, ndërkohë që dy persona të paidentifikuar i kanë dalë para dhe nën kërcënimin e armës, e kanë grabitur. Sipas të dhënave, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:30, ndërkohë që menjëherë është rrethuar e gjithë zona e krimit, por oficerët e policisë nuk kanë mundur të bien në gjurmët e hajdutëve. Nga burimet policore mësohet se ngjarja është regjistruar afër Rrugës së Elbasanit, kur ngjitesh nga Liceu për te Qyteti Studenti. Një djalë i ri, rreth 25 vjeç, i identifikuar me emrin Ardit, ka qenë duke ecur në këmbë, kur dy persona, me xhinse dhe me bluza të zeza, kanë zgjatur dorën për t’i marrë me forcë varësen e floririt. Djali i ri, trup i bëshëm, ka kapur për bluze njërin prej dy hajdutëve, duke tentuar neutralizimin e tij. Por aty janë përleshur dhe viktimës i ka mbetur në dorë një copë bluze. Në momentet e përleshjes, shoqëruesi i grabitësit ka nxjerrë pistoletën, duke e mbajtur nën kërcënimin e saj të riun, pre e grabitjes. I dorëzuar përballë armës, i riu nuk ka kundërshtuar më, ndërkohë që i armatosuri e ka goditur dy herë me qytën e pistoletës pas koke. 25-vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë, pothuajse pa ndjenja, ndërsa dy hajdutët e dhunshëm janë larguar me vrap. Menjëherë dëshmitarët kanë njoftuar shërbimet e policisë, të cilat kanë mbërritur me urgjencë për në vendin e ngjarjes, duke i dhënë ndihmën e parë të plagosurit, që sipas të dhënave paraprake është punonjës në një kompani të sigurisë fizike. Nga informacionet e mbledhura, ka rezultuar se dy grabitësit janë afërsisht nga 30 vjeç dhe flisnin me dialekt nga Kukësi. Menjëherë bazuar në këto të dhëna dhe në veshjen e tyre, agjentët e antikrimit dhe inspektorët e Komisariatit Nr. 1 kanë nisur kërkimet në zonë, duke shoqëruar disa persona të dyshuar. Ndërsa i dëmtuari është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërkohë që deri në orët e vona të natës, nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar për arrestimin e agresorëve. Burimet policore thanë se nga kjo ngjarje, grabitësit kanë mundur të marrin varësen, por krimi i kryer është vlerësuar maksimalisht dhe po ndiqet edhe nga krimet e rëndë. Grabitja e varëseve, sidomos te femrat, por tashmë edhe te meshkujt, është kthyer në një problem shqetësues. Më 7 gusht, një grabitje e tillë ka rezultuar fatale për 38-vjeçaren Fatbardha Tafa, e cila mbeti e vdekur pas grabitjes me thikë, ndërkohë që motra e saj, Lumturie Gjana, u plagos. Ndërkaq, që atë ditë, policia e kryeqytetit ka kaluar në gjendje të përforcuar, me qëllim për të sjellë siguri te qytetarët, por duket se edhe prania policore nuk po i tremb më grabitësit, duke e bërë situatën edhe më të rëndë.