Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, zhvilloi ditën e sotme një takim me drejtuesit vendorë, në qendër të të cilit ka qenë situata më e fundit në miniera dhe aksidentet e shumta në radhët e minatorëve për shkak të mungesës së sigurisë në punë.
Ministri Edmond Haxhinasto ka kërkuar që t’i jepet fund abuzimit nga ndërmarrje që veprojnë pa licenca dhe pa masat e duhura të sigurisë, duke urdhëruar me këtë rast riaktivizimin e task-forcave në të gjitha qarqet ku ushtrohet sektori minerar për monitorimin e rrepte ndaj çdo operatori sa i përket lejes për ushtrim aktiviteti, sigurisë dhe standardeve të kushteve të punës si dhe ruajtjen e standardit mjedisor.
Haxhinasto bëri të ditur se prioritet do të jetë vëzhgimi i investimet e bëra nga operatorët, për rritjen e kapaciteteve me qëllim rritjen e prodhimit. Ai më tej vlerësoi rëndësinë që ka për ekonominë e vendit dhe për investitorët e huaj ky sektor, duke bërë edhe një bilanc të arritjeve për vitin 2011, ku sipas Haxhinastos janë hapur rreth 9800 vende pune.
17 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)