Konflikti – FSHF dhe CEZ nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për borxhin prej 756.934,36 lekësh, të gjitha fatura të papaguara gjatë viteve 2008, 2010, 2011, 2012


Superkupa – Finalja e Superkupës së Shqipërisë do të bëhet ndeshja e dytë brenda javës që ndriçohet nga gjeneratori, pas miqësores së Kombëtares kundër Moldavisë


Elvis Sina – Elvis Sina mungoi në stërvitjen e djeshme. Shkak për këtë mendohet të jetë largimi i mundshëm i kapitenit 33-vjeçar nga Tirana për te skuadra e Flamurtarit


Finalja e Superkupës bëhet “viktimë” e konfliktit të pazgjidhur FSHF-CEZ


Altin Manallari


Ndërsa dy skuadrat po ndezin motorët për të luajtur futbollin e vërtetë në fushë, më në fund ka ardhur dhe konfirmimi zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF): finalja e Superkupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Skënderbeut do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”, të dielën, në orën 19:00, që nënkupton me drita.


Pas ndeshjes miqësore së të mërkurës, ku Kombëtarja e Shqipërisë barazoi 0-0 ndaj Moldavisë, edhe ajo e Superkupës mes Skënderbeut dhe Tiranës do të luhet me gjenerator, për shkak të mungesës së energjisë elektrike në stadiumin “Qemal Stafa”. Kjo për faktin se FSHF (që është edhe organizatorja e kësaj ndeshjeje) dhe kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike në vend, CEZ, nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për borxhin, që ka drejtoria e stadiumit ndaj CEZ-it. Kompania çeke nuk ka ndërmend të heqë dorë nga vendimi i saj, për të mos furnizuar me energji elektrike impiantin më të madh në vend, nëse nuk shlyhet shuma prej 756.934,36 lekësh, të gjitha fatura të papaguara gjatë viteve 2008, 2010, 2011, 2012. Por as FSHF nuk ka ndërmend të paguajë borxhet e krijuara nga “Qendra Sportive” sh.a, që menaxhon stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Situata është komplikuar më shumë nga fakti se për momentin, pronësia e stadiumit po transferohet nga “Qendra Sportive” sh.a te “Shoqata kuqezi”, e cila në tetor pritet të shembë stadiumin aktual dhe në vendin e tij të ndërtojë stadiumin e ri. Gjithsesi, institucioni i futbollit ka marrë masa që të dielën të mos ketë probleme me energjinë elektrike. Sfida e Superkupës së Shqipërisë do të luhet në orën 19:00 dhe energjia elektrike e nevojshme do të prodhohet nga i njëjti gjenerator, që furnizoi prozhektorët për ndeshjen Shqipëri-Moldavi. Vetëm pjesa e dytë e takimit kërkon ndriçim të plotë në stadiumin “Qemal Stafa”. Bën përshtypje fakti se për ndeshjen e parë u bë shumë zhurmë në media, ndërsa për finalen e Superkupës gjithçka po tenton të kalohet, sikur të ishte krejt normale. Gjithsesi, kjo zgjedhje e përkohshme e FSHF-së nuk e zgjidh problemin, i cili duket se do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Për sa i përket aspektit sportiv të finales së Superkupës së Shqipërisë, të dyja skuadrat janë të përqendruara maksimalisht te përgatitja e sfidës së nesërme, ku është në lojë trofeu i parë i sezonit të ri të futbollit shqiptar, 2012-2013. Në kampin e Tiranës ka pasur zhvillime të reja në prag të kësaj supersfide. Në stërvitjen e djeshme të 24-herë kampionëve të Shqipërisë ka munguar kapiteni Elvis Sina. Zyrtarisht nuk ka pasur sqarim nga klubi, ndërkohë që në korridore flitet për largimin e mundshëm të mbrojtësit legjendar (33 vjeç) nga skuadra, me të cilën ka luajtur që nga sezoni 2009 (që ishte edhe e treta periudhë e tij në klubin bardhelu) deri më tani. Destinacioni i tij mendohet se do të jetë Flamurtari. Largimi i tij do të konfirmonte edhe strategjinë e trajnerit Hulian Rubio Sançez, i cili kishte paralajmëruar se rinovimi i skuadrës do të niste pikërisht me largimin e veteranëve.