Ish-kreu i Kushtetueses, pro idesë së zgjedhjes së anëtarëve me shumicë të cilësuar votash


Rinovimi i gjyqtarëve kushtetues çdo tre vite nuk është më i nevojshëm. Madje, sipas ish-kryetarit të kësaj gjykate, Fehmi Abdiu, rotacioni ka pasur vlerë ligjore deri më 2001-shin, në formën e një dispozite kalimtare në ligjin për funksionimin e kësaj gjykate. Abdiu e shënon këtë si rekomandimin kryesor për Ministrinë e Drejtësisë, e cila po përgatit ndryshimet në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese. “Pas vitit 2001 nuk ka më vend për të zhvilluar rotacion tjetër, por se dispozita kushtetuese që bën fjalë për këtë problem duhet të ishte trajtuar si një dispozitë tranzitore, e përkohshme, me efekt deri në atë kohë. Ky institucion është çuar në një farë krize. Siç e dini, Gjykata Kushtetuese te ne punon me anëtarë që kanë mbaruar prej kohësh mandatin e tyre, por që vazhdojnë të punojnë jashtë afatit kushtetues”, deklaroi për “AS TV”, Abdiu. Gjyqtarët kushtetues duhet të zgjidhen me 84 vota, thekson konstitucionalisti dhe jo më vonë se 30 ditë pasi gjyqtarit që zëvendësohet t’i ketë mbaruar mandati. Një tjetër çështje që duhet të zgjidhet, kujton konstitucionalisti Abdiu, është edhe limiti kohor për të dhënë vendim për një çështje të caktuar. “Janë zvarritur shumë çështje dhe shumë herë ato kanë përfunduar pasi ka mbaruar aktualiteti i njërës apo tjetrës prej tyre. Do të mendoja si një zgjidhje maksimale njëvjetore nga momenti i paraqitjes së kërkesës në gjykatë, do të ishte shumë e pranueshme dhe nuk do të justifikoja zgjidhje që kanë shkuar mjaft përtej afatit njëvjetor që përmenda”, shprehet Abdiu. Për një rregullim ligjor apo kushtetues për plotësimin e vakancave u shpreh pak kohë më parë edhe kryetari aktual i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Ai pati deklaruar se: “Procedurat për zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj të fillojnë të paktën 6 muaj përpara se gjyqtarëve që janë në detyrë t’u mbarojë mandati. Kjo, me qëllim që, në momentin që gjyqtarëve iu mbaron mandati, që janë në detyrë, gjyqtari që do ta zëvendësojë të jetë zgjedhur e ta zëvendësojë në atë ditë që atij i mbaron mandati. Kjo do t’i priste rrugën edhe zgjatjes së tejskajshme në bazë të mbarimit të mandatit të qëndrimit në detyrë. Natyrisht që kjo duhet të shoqërohet me ndryshime ligjore në ligjin organik, ndoshta edhe në Kushtetutë”. Prej disa muajsh, Ministria e Drejtësisë, së bashku me ekspertët ndërkombëtarë, po punon për një ligj të ri organik për Gjykatën Kushtetuese. Një ndër ndryshimet e para që pritet të bëhen, lidhet pikërisht me mënyrën e përzgjedhjes së 9 anëtarëve të kësaj gjykate, për të shmangur njëherë e mirë konfliktin President-Parlament. Aktualisht, tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë përtej mandatit. Prej tre vitesh atyre u ka mbaruar mandati dhe se konflikti qeveri-Presidencë, gjatë kohës kur në krye të shtetit ishte Bamir Topi, bëri të pamundur rotacionin në këtë institucion.