Në orën 6:15 të mëngjesit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte mbushur plot me burra dhe gra myslimane, që sipas traditës fetare, kanë falur namazin e Bajramit të Madh.
Dita e Fiter Bajramit festohet pas 30 ditë agjërimi të muajit Ramazan, ku besimtarët myslimanë ushqehen vetëm në vaftet syfyr (në mëngjes) e iftar (në darkë) si një sakrificë për të pastruar shpirtin nga mëkatet e bëra gjatë vitit.
Pas 30 ditë agjërim besimtarët i falen Zotit për më shumë paqe dhe mirësi ndërmjet tyre. Sipas traditës, festa e Fiter Bajramit vijon më pas në shtëpitë e besimtarëve myslimanë me drekën tradicionale, ku ftohen më të afërmit për ta kaluar bashkërisht dhe të gëzuar këtë ditë të rëndësishme të besimtarëve myslimanë.
Me rastin e kësaj feste të rëndësishme, personalitete të larta të shtetit kanë përcjellë urimet e tyre për besimtarët myslimanë.
Presidenti i Republikës, Nishani ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë, ku ndër të tjera thuhet:
“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni. Është kënaqësi dhe nder për mua që urimin e parë si President i Republikës t’ua drejtoj të gjithë besimtarëve myslimanë. Gëzuar festën e Fiter Bajramit!
Bajrami i Madh vjen pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit, muajit të agjërimit, të sakrificës, të paqes dhe dashurisë për njëri-tjetrin. Myslimanët bashkohen për të reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe komunitetit. Me rastin e kësaj feste të madhërishme, uroj për më shumë paqe, tolerancë, begati, harmoni dhe shëndet.
Të dashur motra e vëllezër myslimanë shqiptarë. Nëpërmjet jush gjej rastin të uroj të gjithë popullin shqiptar që ka shfaqur gjithmonë një nga virtytet e tij më të mëdha: bashkëjetesën fetare. Besimi është një nga cilësitë më të çmuara që ka njeriu dhe që e ka çuar përpara njerëzimin. Le ta ruajmë këtë besim në breza dhe ta përmirësojmë në raport me njëri-tjetrin.”
Festime masive edhe në Shkodër
Fiter Bajrami është festuar edhe në qytetin e Shkodrës. Me mijëra besimtare myslimane janë mbledhur para xhamisë Ebu Beker në qendër te qytetit, që në mëngjes ku janë falur, duke mbushur edhe rrugën kryesore.
Ceremonia më e rëndësishme që kulmon mbylljen e muajit të Ramazanit është drejtuar nga myftiu i Shkodrës, Muhamed Syrtari, i cili falënderoi të gjithë besimtarët dhe uroi ata për kalimin me sukses të muajit të Ramazanit.
Pas ritit të faljes, besimtarët kanë vijuar festimet për këtë ditë pranë shtëpive të tyre.
Kavajë, bashkia, tortë 15 metra për festën e Bajramit
Me mijëra besimtarë myslimanë në qytetin e Kavajës kanë dalë mëngjesin e sotëm për të kryer ritet që kulmojnë muajin e shenjtë të Ramazanit.
Në ditën e Fiter Bajramit, pas faljes, besimtarët kanë dëgjuar predikimet e klerikëve myslimanë.
Më pas festa ka vijuar me organizimet e Bashkisë së Kavajës, që për besimtarët ka sjellë në sheshin qendror të qytetit një program festiv me këngë e valle tradicionale.
Bashkia ka ofruar për besimtarët edhe një tortë 15 metra të gjatë, që u është shpërndarë me rastin e kësaj feste.
Elvis Roshi, kryetar i Bashkisë së Kavajës, u shpreh: “I uroj të gjithë besimtarëve myslimanë gëzuar festën e Fiter Bajramit. Harmoni, lumturi dhe paqe në familjet e tyre. Këtë vit janë dyfishuar përmasat e tortës e shpresoj të dyfishohet edhe begatia për qytetarët”.
19 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)