Një aksident me pasojë vdekjen e një 70-vjeçari është regjistruar dje në orët e para të mëngjesit në Tiranë. Policia bëri të ditur se rreth orës 03:30 të mëngjesit, te Kthesa e Kamzës një automjet tip “Porche” ka goditur një makinë “Fiat Punto”. Si pasojë e përplasjes së fuqishme ka gjetur vdekjen e menjëhershme një nga pasagjerët i “Fiatit”, i cili është identifikuar si Pëllumb Sulstafa. Ai ka humbur jetën pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që i plagosur lehtë ka mbetur drejtuesi i së njëjtës makinë, shtetasi B. Mersini. Mësohet se nga aksidenti nuk ka të tjerë të lënduar. Nga hetimet paraprake, policia dyshon se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e automjetit tip “Porche”, me targë AA 996 CJ, që drejtohej nga Haki Lamçe, ndërsa te “Fiati Punto” udhëtonte një familje që po kthehej nga një dasmë. Sipas policisë, makina “Porche” ka qenë me shpejtësi, rreth 200 kilometra në orë dhe ka goditur nga pas “Fiatin”. Pas përplasjes së parë, shoferi i “Porche” nuk ka mundur të kontrollojë shpejtësinë dhe i ka dhënë goditjen e radhës “Fiatit” në anën ballore. Efektivët kanë ndalur drejtuesin e automjetit “Porche”.